Statusi i vendit kandidat, Swoboda-Meta: Refuzimi pasojë e problemeve në BE
Kryetari i Grupit të Social-Demokratëve në Parlamentin Europian, Hannes Swoboda ka nisur sot axhendën e takimeve zyrtare. Ai është takuar sot me kryeministrin Edi Rama, me kreun e opozitës Lulzim Basha dhe me kreun e Parlamentit Ilir Meta. Në konferencën e përbashkët për shtyp, kryeparlamentari Ilir Meta u shpreh se mazhoranca është e gatshme të bashkëpunojë me opozitën për reformat e rëndësishme për vendin.“Mendoj edhe një herë tjetër se reforma administrative-territoriale është e rëndësishme, në radhë të parë për qytetarët shqiptarë, sepse vendi ka të njëjtën ndarje administrative-territoriale që nga viti 1992, pra nga zgjedhjet e para lokale në korrik të vitit 1992, ndërkohë që ka një përmbysje demografike. Pra, është një ndarje tërësisht e zhvlerësuar dhe joefikase. Kemi 280 bashki dhe komuna në Shqipëri, ndërkohë që kemi 80 në Maqedoni, 37 në Kosovë, 21 në Malin e Zi dhe 150 njësi vendore në vendit tonë krijojnë vetëm 1 deri në 2 % të të ardhurave që u duhen atyre për të përballuar shpenzimet. Nuk kryejnë pra 150 njësi vendore asnjë investim dhe asnjë shërbim ndaj komunitetit të tyre, sepse nuk kanë asnjë mundësi të krijojnë këto burime. Vetëm nga kostoja administrative që do të kursehej në bazë të kësaj reforme do të fitoheshin rreth 80 milionë dollarë. Ndërkohë që ne marrim para borxh dhe paguajmë interesa kur kemi rezerva kaq të mëdha, të cilat të vihen dhe duhet të vihen në shfrytëzim të qytetarëve për t’u ofruar shërbime më cilësore. Për këtë është shumë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm realizimi i reformës administrative-territoriale, kur tashmë është bërë publik edhe vendimi i parlamentit për miratimin e këtij komisioni, i cili i garanton të drejta të barabarta si mazhorancës ashtu edhe opozitës. Pra numër të barabartë anëtarësh, 8 mazhoranca dhe 8 opozita dhe dy bashkëkryetarë, një nga PS-ja dhe një nga PD-ja. Asnjëherë më parë nuk ka pasur një ofertë të tillë për opozitën. Vetë opozita është shprehur në favor të kësaj reforme, komuniteti ndërkombëtar e mbështet fuqishëm këtë reformë edhe përmes programit STAR po e mbështet dhe po e financon atë, si qeveria suedeze, si ajo zvicerane, si SHBA-të përmes USAID-it dhe organizata të tjera. Gjithçka do të bëhet në mënyrën më transparente dhe sipas standardeve evropiane. Nuk ekziston asnjë prapavijë për qëllime elektorale nga ana e mazhorancës dhe kjo është e qartë. Asnjë ide mbi të ashtuquajturat salamandra, të cilat mund të jenë tentuar në të kaluarën, përkundrazi është vetëm në interes të qytetarëve shqiptarë dhe unë shpresoj që opozita të kontribuojë me idetë e saj, me eksperiencën e saj në përmbushjen e kësaj reforme” u shpreh Meta.Kreu i LSI, Ilir Meta, u pyet nga gazetarët edhe lidhur me qëndrimin e kësaj force politikepër dy dekretet e Presidentit të Republikës për anëtarët e Gjykatës së Lartë që kanë nisur të shqyrtohen sot në Komisionin e Ligjeve për të cilën dha këtë përgjigje:“Ne do të respektojmë të gjitha fazat e këtij diskutimi dhe në momentin e duhur natyrisht që do të shprehemi”.Ndërkohë, eurodeputeti Swoboda ndërsa theksoi domosdoshmërinë e realizimit të reformave të nisura shtoi se mosdhënia e statusit nuk ishte për fajë të Shqipërisë por të problemeve brenda Bashkimit Europian.“Jemi të zhgënjyer që nuk iu dha statusi i kandidatit Shqipërisë. Mosdhënia e statusit nuk ka të bëjë me punën që ka bërë qeveria këto muajt e fundit por ka të bëjë me problemet që janë brenda vendeve europiane. Mesazhi më i mirë është që duhet bëhen reforma për vendin dhe nuk duhet ti mbajmë sytë në qershor për statusin. Mesazhi që duhet të jepet për promovimin e Shqipërisë është bashkëpunimi mes mazhorancës dhe opozitës për reformat" tha ai.I pyetur për reformën administrative-territoriale, Swoboda theksoi se Shqipëria është e vonuar për realizimin e saj ndërsa theksoi se nuk sheh pengesë për arritjen e kompromisit mes mazhorancës dhe opozitës.“Unë vij nga Austria, vend që e ka bërë këtë reformë diku 40-50 vite më parë. Pa dashur të kritikoj Shqipërinë duhet të them se ju jeni të vonuar në realizimin e kësaj reforme dhe ajo duhet bërë sa më parë. Gjatë bisedimeve që kam pasur me Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit dhe liderin e opozitës unë nuk shoh që të ketë një pengesë në arritjen e një kompromisi në kryerjen e kësaj reforme. Çështjet kryesore në shërbim të publikut, menaxhimin i mbetjeve, transporti urban, etj., nuk mund të arrihen ashtu siç duhet në qoftë se kemi këto minibashki apo mininjësi lokale. Eksperienca evropiane tregon që është e nevojshme dhe funksionon si edhe ndihmon në demokratizimin e vendit” tha Swoboda.Gjithashtu i pyetur për forcat ekstremiste në BE të cilat nuk lejuan marrjen e statusit të kandidatit për Shqipërinë, Swoboda u përgjigj:“Mendoj se këto forca ekstreme në disa vende e kishin mundësinë për ndikuar në një farë mënyre vendimin për Shqipërinë, sidomos në Hollandë. Por dhe zgjedhjet e ardhshme në parlamentin evropian patën një ndikim në disa parti politike evropiane. Për të qenë i sinqertë, këto parti, këto forca ekstreme u forcuan në një farë mënyre kur u hap fjalë që në Shqipëri nuk po funksionon siç duhet puna dhe qeveria. Thirrja jonë është për opozitën, sigurisht ata duhet të bëjnë punën e tyre dhe të ketë një opozitë të fortë, por të kenë kujdes që ata kur hapin fjalë të tilla të mendojnë që ndikon tek vendin i tyre më shumë. Mesazhi kryesor është që duhen bërë reforma për vendin dhe nuk duhet ti mbajmë sytë të ngulur në qershor dhe po nuk u mor statusi është një fatkeqësi e madhe. Duhet të punohet për reformë. Mesazhi më i mirë që duhet të jepet për promovimin e Shqipërisë është bashkëpunimi që duhet të ketë mes opozitës dhe mazhorancës për çështjet kryesore në vend” tha ai.