Operacion anti-drogë në Tiranë, sekuestrohet 1 kg kokainë, 2 në pranga
Sektori i Antidrogës në Tiranë ka sekuestruar mbrëmjen e sotme 1 kg kokainë, ndërsa ka arrestuar dy persona si shpërndarës dhe posedues të saj. Droga u kap në një automjet në Vorë pranë një pike servisi, në sajë të operacionit policor të koduar "Shkëmbimi", duke finalizuar me sukses një periudhë prej dy muajsh hetime ndaj tyre.
Policia kaloi në aksion në momentin që dy të arrestuarit dhe një i tretë, po bënin shkëmbimin e lëndës narkotike, duke arrestuar dhe shtetasit:1. Ilir Mara, 35 vjeç, banues në Tiranë,2. Hasan Rezi, 22 vjeç, banues në Tiranë,3. si dhe u shpall në kërkim shtetasi E.K,
Ndërkaq në cilësinë e provës materiale, këtyre shtetasve u janë sekuestruar edhe 15 mijë euro e përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme dhe dy automjete tip BMW dhe një Rreno Clio.
Tre shtetasit dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë, realizonin trafikim ndërkombëtar të lëndës narkotike, me origjinë nga Hollanda dhe destinacion shitjen në tregun e brendshëm.
Bazuar në informacionet policore të administruara shtetasit e lartëpërmendur u arrestuan për veprat penale, të prodhimit, mbajtjes, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim, ndërkohë që po punohet për rolin e gjithësecilit në këtë aktivitet kriminal.Nga strukturat e Policisë së kryeqytetit vazhdon hetimi ndaj personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale, si dhe hetimi pasuror i Aseteve Kriminale të përfituara.Ndërkaq materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.