Swoboda: Shqipërisë duhet ti jepet statusi në qershor, reforma për skeptikët
Duke mos fshehur zhgënjimin nga refuzimi i vendeve të BE për ti dhënë Shqipërisë statusin e kandidatit në dhjetor të vitit që lamë pas, kryetari i grupit Socialdemokrat në Parlamentin Europian, Hanes Swoboda, inkurajon klasën politike që të tregojë forcën e duhur për të mposhtur skepikët.“Bashkimi Evropian ka nevojë të rritet dhe duhet të rritet. Të gjitha vendet gjeografikisht në europë kanë të drejtë absolute të jenë pjesë e Bashkimit Evropian. Disa shtete kanë ende probleme, disa të tjera ende nuk janë gati e disa të tjera duhet të plotësojnë kushtet dhe kriteret. Por të gjitha këto vende kanë të drejtë të kërkojnë dhe të jenë në Bashkimin Evropian. Për rastin tuaj, sigurisht nuk më vjen mirë që Shqipërisë iu refuzua statusi i vendit kandidat por jam besimplotë dhe shpresplotë se Shqipëria do ta arrijë këtë në muajin qershor” – tha ai.Në një bashkëbisedim me studentët me temë “Bashkimi Evropian dhe sfidat e tij”, Swoboda theksoi domosdoshmërinë e realizimit të reformave të nisura, kryesisht në luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe krimit të organizuar.“Pa shtytje, pa asistence dhe pa mbështetje nuk mund të ecet. Shqipëria, vendi juaj, këtë e ka pasur dhe do ta ketë. Unë jam këtu për tju thënë se së pari duhet të përfundoni reformat e nisura dhe të kryesni ato që ende nuk kanë marrë udhë. Lufta kundër korrupsionit është thelbësore ashtu si edhe ajo ndaj krimit të organizuar. Ajo është e rëndësishme për mirëqënien e qytetarëve, ekonominë e vendit, shoqërinë në përgjithësi dhe vetë politikën. Të luftosh korrupsionin do të thotë të përmirësosh ekonominë e vendit tënd si dhe të forcosh rolin e vendit tënd në rajon dhe më gjerë. Një tjetër sfidë është edhe lufta kundër pastrimit të parave. Goditja shtetërore ndaj parajsave fiskale është një luftë që po bëhet në të gjitha vendet e botës. Shqipëria ka ende rrugë për të bërë. Me rëndësi të madhe është bashkëpunimi i ndërsjelltë politik e sidomos mirëkuptmi mes palëve në Parlament. Politika këtu tek ju duhet të jetë bashkëpunuese dhe transparente në të mirë të qytetarëve dhe vendit”theksoi ai.Në përfundim Hannes Swoboda preku edhe disa çështje që sot shqetësojnë Bashkimin Evropian, siç janë kriza ekonomike që ka prekur disa vende europiane, respektimi i të drejtave të njeriut në të gjitha aspektet si edhe papunësia kryesisht tek të rinjtë.Kryetari i grupit Socialdemokrat në Parlamentin Europian, Hanes Swoboda, gjendet për një vizitë dyditore në Tiranë, me ftesë të grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, e para kjo që pas zgjedhjeve të 23 qershorit.Gjatë ditës së nesërme, Hannes Swoboda, pritet të nisë takimet zyrtare me krerët më të lartë të shtetit.