Llalla në krye të Prokurorisë, Marku: Opozita mund të mos e votojë, por është kandidaturë e mirë

Kandidatura për kreun e Prokurorisë së Përgjithshme mund të mos marrë konsensusin e duhur, por me rëndësi është fakti që kemi një kandidaturë të mirë. Kështu është shprehur deputeti i PD-së Mark Marku në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora News me drejtorin e Informacionit Patrik Sadikaj pas dekretimit nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani të Adriatik Llallës si prokuror të përgjithshëm i vendit. Duke e vlerësuar bonus faktin se Llalla në krye të ILDKP-së është zgjedhur me konsensus të dy palëve, sërish nuk ka përjashtuar faktin se një realitet i tillë mund të përmbyset nga opozita në rrethanat e reja në të cilët vendoset personi i tij.“Është zgjedhja e duhur, ka drejtuar një institucion të rëndësishëm, mbi të gjitha është një kandidat që është zgjedhur me konsensus të plotë në atë pozicion. Mund të mos jetë konsensuale tani, por është kandidaturë e mirë. Mendoj që do ishte mirë që të votohej dhe nga opozita. Konsensusi ose mungesa e tij nuk lidhet shumë me kandidaturat por me predispozitën e palëve, cfarë bën që mund të mos jetë tani. Prokuroria zgjidhet sipas Kushtetutës, është mirë të zgjidhet me konsensus, por gjithsesi mjafton të jetë kandidatura e mirë. Kandidatura e tij s’besoj të mos jetë konsultuar brenda forcave politike në koalicion, pasi do ishte pa sens të rrëzohej nga palët brenda koalicionit mazhoritar” tha ai.Kur kanë mbetur 17 ditë  nga votimi i KiE për statusin kandidat të Shqipërisë, Marku vlerëson se edhe pse vonë kalimi i tre ligjeve të ngrira nga opozita do të ishte e mirëpritur dhe e domosdoshme, ndërsa shtoi se një qëndrim i tillë i PS ishte një kartë e gabuar politike dhe një gabim i madh prej saj.“Edhe pse vonë disi, mendoj se kalimi i tre ligjeve do ishte dicka e mirëpritur dhe e domosdoshme. Më duket absurd qëndrimi i opozitës, e kuptoj atë në shumë qëndrime, por në këtë rast rezistenca e PS për të mos e dhënë konsensusin e këtyre tre ligjeve është e dëmshme dhe absurde nga pikëpamja politike. Nëse do e kishte dhënë konsensusin edhe vetë do të ishte e fituar, do ishte pjesë e susksesit nëse Shqipëria do merrte statusin, por edhe në rast se nuk e merrte do ta kishte si bonus, do të thoshte që ne e bëmë punën tonë. Është një gabim i madh prej saj, më keq se vetë krimi” u shpre Marku.Lidhur me çështjen e Fierit, arsyeja kryesore e ngrirjes së tre prioriteteve kusht për marrjen e statusit, deputeti Marku deklaroi se politika mund t’ia kishte kursyer vetes këtë problem, por pavarësisht kësaj ai shtoi se kurrsesi një cështje lokale nuk mund të bëhet shkas për të bllokuar një ceshtje kombëtare, sic është integrimi i vendit në BE.“Është një çështje juridike, duhet një qasje juridike më tepër se politike. Mendoj se ajo cështje së pari mund të mos ishte krijuar, po të kishim më shumë mundësi për të mos hapur probleme sesa për ti krijuar ato, vendi do të kishte tjetër zhvillim. Realisht nuk shoh ndonjë arsye pse duhet të ekzistojë si problem cështja e Fierit. Fakti se ke një Kryetar qarku apo jo nuk është me shumë rëndësi kur ke institucionet kryesore, mund të ishte anashkaluar. Problemi qëndron se është një pretekst, nëse e duam mund ta gjejmë  dicka të tillë mund ta bëjmë për cfarëdo arsye. Pamundësia për tu marrë vesh ka të bëjë me vullnetin e palëve për ta bërë dicka të tillë. Ti s’mund të bllokosh integrimin e vendit me një ceshtje lokale, s’mund të vësh përparësi qarkun e Fierit me integrimin europian të Shqipërisë. Ta zëmë edhe se ka të drejtë PS, sërish është një pretekst fëminor prej saj për të bllokuar integrimin. Edhe nëse nuk do të ishin kushte të KE, sërish këto tre ligje janë shumë të rëndësishme për vendin, e në mënyrë të vecantë ai i Gjykatës Administrative” theksoi ligjvënësi demokrat.Marku ka komentuar edhe valën e nacionalizmit që ka përfshirë vendin pas 28 nëntorit dhe përdorjen e tij nga kreu i mazhorancës si kartë të ardhshme elektorale. Sipas tij në gjithcka cfarë ka shprehur Kryeministri nuk ka vend ky nocion. Marku vlerësoi se deklaratat e Berishës nuk janë as më shumë as më pak se patriotike, megjithatë ka kërkuar kujdes me nacionalizmin, që sipas tij më tepër po përcohet në rang bisedash kafeje dhe kryesisht nga tifozeria.“Është një kartë e duhur, në kuptimin si një ideologji, frymë që kërkon zgjidhjen e problemeve nacionale pa marrë parasysh rrethanat dhe vendimet në kurriz të të tjerëve. Duhet pasur kujdes me këtë, por nuk shoh dicka të tillë në deklaratat e Berishës. Deklarata e 28 nëntorit sështë nacionalizëm por patriotizëm, janë dy gjëra të ndryshme. Të jesh nacionalist do të thotë të kërkosh të ndërtosh një projekt të tillë që të ndërtosh një shtet etnik ku shtrihet një komb i caktuar, unë nuk di që të ketë një plan të tillë në Shqipëri, është tjetër dëshira. Duhet ndarë eutopia nga realiteti. Një lloj nacionalizmi i shprehur do ti dëmtonte interesat e shqiptarëve, do ishte një pengesë për të gjitha ambiciet e shqiptarëve në rajon. Me rëndësi është të realizosh dicka, jo ta deklarosh. Shqiptarët nuk kanë rrezikuar deri tani stabilitetin e rajonit për shkak të këtyre interesave” tha Marku.Shqipëria ka ndryshuar shumë në këto 8 vite nën pushtetin e PD, por kjo sështë e mjaftueshme për të bindur qytetarët për marrjen e një mandati të tretë në 2013. Deputeti Mark Marku deklaroi se partisë së djathtë më të madhe ne vend i nevojitet një superofertë elektorale dhe një ekip i mirë që ta bëjë të besueshme për elektoratin e gjerë. Mbi të gjitha, për Markun, nga PD duhet kuptuar se cfarë kërkojnë qytetarët pas 20 vitesh tranzicion, për tu distancuar njëherë e mirë nga ideologjia dhe filozofia e këtij 20 vjecari.“Mendoj që për një parti që qeveris dy mandate  që ti motivosh qytetarët duhet tu konkretizosh se cfarë ka bërë qeverisja jote dhe kjo bëhet përmes komunikimit politik dhe më pas të ndërtosh një alternativë të re, duhet një ofertë elektorale e jashtëzakonshme dhe një ekip që ta bëjë të besueshme për qytetarët. Një forcë në 8 vjet ka treguar edhe mundësitë edhe defektet. Ekipi duhet të reflektojë maksimumin e mundësive, të tregojë se cfarë do të ndryshojë dhe si. Nëqoftëse do ta maksimalizosh votën duhet që ajo që paraqet ta tejkalojë forcën politike në dy mandatet e lëna pas. Jemi akoma në pjesën e nxehjes, shpresoj se do ketë një reflektim, gjysma e parë e 2013 do të fillohet me paraqitjen e fushatës elektorale. Në Shqipëri kanë ndodhur ndryshime të mëdha në këto 8 vjet, janë një siguri,  por s’janë të mjaftueshme. Një individ s’bën dot një platformë për një forcë politike. Idetë e mia i kam, të strukturuara, jo në platformë, por një korpus idesh për të ndihmuar sadopak. Kam dëshirë që para se ti bëj publike do ti paraqes në forumet e partisë. Duhet të kuptojmë se cfarë kërkohet pas 20 vitesh tranzicion, për ta bërë këtë duhet të dalim edhe nga logjika e tij. Duhet të distancohemi nga mendimet përgjatë tranzicionit” deklaroi deputeti i PD-së Mark Marku.