Sa seriozisht e ka Qeveria mbrojtjen e shëndetit publik prej duhanit?
Në emisionin “Opinion” të Fevziut, Kryeministri i vendit, z. Edi Rama ndër të tjera tha: “I rritëm akcizat e duhanit me qëllim që të ulim konsumin e tij, pra qëllimi i vetëm është ai i mbrojtjes së shëndetit publik, ashtu siç veprojnë edhe shtete të tjera të Evropës.”Kjo thënie është tepër korrekte dhe ne si “koalicion kundër duhanit” e mbështesim dhe e përshëndesim këtë veprim të qeverisë Rama, si dhe planifikimin që ajo ka bërë për tri vitet e ardhshme duke i rritur akcizat për çdo vit nga 10 lekë.Taksimi i produkteve të duhanit është edhe masa më efektive që njihet për të kontrolluar duhanin dhe ajo ka edhe avantazhe të tjera të shtuara përveçse arritjes së synimit, që është ulja e konsumit të duhanit apo rritja e të ardhurave qeveritare. Taksat më të larta ndikojnë tek disa duhanpirës ta lënë atë dhe ndikon që të tjerët të mos e fillojnë.Ne në vazhdimësi do të inkurajojmë qeverinë për rritjen e taksave të duhanit.Ndërsa në fakt, po shohim që në shumicën e bareve, klubeve, ambienteve të mbyllura publike nuk mund të qëndrosh i qetë nga mjegulla e tymit të duhanit si rezultat i moszbatimit të ligjit. Qytetari dhe konsumatori ndihen të pambrojtur dhe të pasigurt për shëndetin e tyre.A mund të luftohet kanceri? A mund të ulen sëmundjet kardiovaskulare nëse vazhdon tymi i duhanit në ambientet e mbyllura publike? Shumë mirë që qeveria po financon: medikamentet për të luftuar kancerin, aparaturat e shtrenjta, depistimin e popullatës për këto sëmundje. Por shpenzimet e taksapaguesve do të jenë në rritje nga viti në vit dhe shëndeti i tyre nuk do të përmirësohet.Në qoftë se rritja e akcizave nuk shoqërohet me zbatimin e këtij ligji, çdo gjë që thuhet është farse dhe demagogji.Edhe aspirata e fuqishme për t’u integruar në BE e bën të domosdoshme zbatimin e ligjit anti-duhan për t’u integruar me këto vende.Kaq i vështirë është zbatimi i ligjit anti-duhan? Pse? Mos vallë lobe financiare apo të veshur me pushtet mund të dalin mbi ligjin?“Në kemi një ligj të mirë dhe të zbatueshëm, por ky ligj është shkelur me të dyja këmbët, jo vetëm nga pronarët e lokaleve, por edhe nga pushtetarët si dhe nga ligjvënësit tanë. E vetmja periudhë kur ky ligj gjeti një zbatim, të paktën në kryeqytet ka qenë gjatë kohës që funksiononte Taks-Forca e ngritur enkas për zbatimin e këtij ligji”, ka deklaruar Ministria e Shëndetësisë nëpërmjet drejtorit të Politikave, Pipero.Korrupsioni është i përhapur në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem veçanërisht serioz edhe në Inspektoratin Sanitar. Kjo shpjegon, ndër të tjera, përse modeli i Task-Forcës anti-duhan/alkool, i konsideruar i suksesshëm nga Ministria e Shëndetësisë, nuk u arrit të implementohej në strukturat e Inspektoratit Sanitar në tërë vendin!Në përfundim shtrojmë pyetjen: “A e ka seriozisht qeveria dhe kryeministri Rama mbrojtjen e shëndetit publik nga duhani, apo thjesht dhe vetëm bëhet për efekte financiare të mbushjes së arkës së shtetit, siç përflitet nga media dhe popullata në përgjithësi?Ditët në vijim do të tregojnë seriozitetin e kësaj nisme.*N/Kryetare e Bordit drejtues të Shoqatës “Profesionistët e Shëndetit kundër Duhanit dhe Alkoolit”./Burimi: mapo.al/