Reforma territoriale, Basha-Ramës: Jep konsensusin, mjaftueshëm ma hodhe njëherë
Ndalja e revanshit të mazhorancës mbi institucionet e pavarura dhe zhbërja e aktit normativ për ligjin e nëpunësit civil duket se do të mbajnë pezull reformën administrative-territoriale. Ndërsa opozita nuk dha dakordësinë në konferencën e kryetarëve për krijimin e komisionit te posaçëm, shefi i demokratëve Lulzim Basha duke shpjeguar këtë qëndrim ritheksoi se konsensusi mbetet kusht i panegociueshëm për PD.“Reforma territoriale, si një reformë e cila nga njëra anë duhet t’i shërbejë interesit të qytetarëve nëpërmjet një qeverisje vendore më efiçente dhe më efektive, por nga ana tjetër e lidhur ngushtë edhe me procesin e decentralizimit, edhe me proceset zgjedhore, për definicion, duhet të bëhet vetëm nëpërmjet instrumentit të konsensusit.Ky është një kusht i panegociueshëm për ne. Asgjë të re nuk ka këtu. Këtë qëndrim kemi mbajtur ne, edhe në qeveri. Ndaj sot shpreh keqardhjen që kryeministri e më pas Kryetari i Kuvendit përmendën njësërë termash, morën me radhë anëtarësitë e komisionit, bashkë-kryesinë e komisionit, veto për të thirrur ose për të mos thirrur ekspertë, por nuk arritën të shqiptojnë asnjëherë me zë të lartë, dhe pa iu dridhur zëri, fjalën konsensus.Në të gjitha hallkat e vendimmarrjes për reformën e propozuar dhe të gjitha aspektet e kësaj reforme, që kanë të bëjnë me decentralizimin dhe reformën zgjedhore. Nga njëra anë kjo nuk na çudit. Sepse z Rama dhe z Meta janë autorët e aktit të paprecedentë në historinë e pluralizmit; të shkatërrimit të konsensusit, me rastin e nëpunësit civil. Çka tashmë është botërisht e njohur për çdo shqiptar dhe për të gjithë partnerët tanë ndërkombëtar. Por unë uroj dhe shpresoj se do ta shikojmë reformën administrative dhe impaktin që kjo ka, tek reforma elektorale, dhe reforma e decentralizimit, si një mundësi të artë për të vendosur konsensusin. As më pak e as më shumë kemi kërkuar dje dhe përsërisim sot. Konsensusi është një domosdoshmëri ndaj së cilës nuk mund të iket. Është një kusht i panegociueshëm, jo vetëm i opozitës por edhe i kohezionit shoqëror dhe qëndrueshmërisë të çdo procesi fondamental siç është procesi i ndarjes administrative. Rivendosja e konsensusit për ne do të thotë pikë së pari, e më e rëndësishmja; që të gjitha vendimet që nga ato me themeloret për kriteret që do të ndiqen, për diapazonin e kësaj reforme e cila nuk është thjeshtë vizatim kufijsh në hartën e Shqipërisë, por ka impakt të drejtpërdrejtë në kompetencat e pushtetit vendor, ka impakt të drejtpërdrejtë tek demokracia e procesi zgjedhor, e deri tek akti i fundit që është miratimi me votë në Kuvendin e Shqipërisë, të jenë konsensuale.Një konsensus të gjerë politik midis maxhorancës dhe opozitës. Që ky proces të nisë me besueshmëri e të përmbyllet me besueshmëri, maxhoranca i ka borxh shqiptarëve dhe demokracisë rivendosjen e besimit që shkelmoi me aktin e paprecedentë të prishjes së konsensusit në dy raste. Në rastin e nëpunësit civil, rast i paprecedentë. Ku ne u ulëm, diskutuam, morëm ekspertët më të mirë të huaj, ramë dakord, miratuam ligjin më 30 maj, vetëm për ta parë ligjin të denigruar nga akti normativ antikonsensual e tashmë antikushtetues i 30 shtatorit.Së dyti, për ato akte ku maxhoranca është shprehur publikisht e botërisht në dakortësi me opozitën siç janë konsolidimi i pavarësisë së institucioneve të pavarura, e kam fjalën për firmat, nënshkrimet e anëtarëve të maxhorancës në deklaratën e përbashkët me eurodeputetët, e kam fjalën për rezolutën e përbashkët të miratuar me unanimitet në Kuvendin e Shqipërisë e tashmë edhe pjesë të rezolutës së Parlamentit Europian, ku kjo maxhorancë angazhohet për të mbrojtur integritetin e institucioneve të pavarura. Ku ndërkohë, ka filluar sulmin ndaj të paktën 2 prej tyre, AMA-s dhe ILDKP-së, dhe refuzon të njohë vendimin e gjykatës në rastin e tretë që është INSTAT-i. Këto nuk janë kushte për meritën e rasteve që përfaqësojnë, por këto janë kushte për të vendosur besimin dhe çdo shqiptar duhet ta ketë të qartë se në qoftë se dy palët ulen për të rënë dakord bashkërisht për diçka kaq madhore, kjo dakortësi nuk ka pikë vlere, nëse një nga palët ka historikun që menjëherë pas marrëveshjes çohet dhe e gris atë, e bën atë të pavlefshme”-tha kreu i demokratëve.Duke e kaluar topin në anën e mazhorancës, Basha ka zgjedhur një fjalë të urtë për ti përcjellë një mesazh shefit të qeverisë Rama, por edhe bashkësisë ndërkombëtare në sytë e të cilëve mund të duket ‘fajtor’.“Miqtë tanë ndërkombëtarë besoj se na kuptojnë mirë. Si në shqip, edhe në anglisht ka një thënie; Fool me once, shame on you; fool me tëice, shame on me. Ma hodhe njëherë, turp për ty, ma hodhe herën e dytë, turp për mua. Por dua ta bëj fare të qartë që këtu nuk është në lojë vetëm reputacioni i opozitës apo i maxhorancës apo aftësisë për një marrëveshje të përbashkët, por është në lojë reputacioni i Shqipërisë dhe i shqiptarëve në procesin jashtëzakonisht të rëndësishëm të integrimit evropian të vendit.Ndaj edhe njëherë dua të deklaroj vullnetin e plotë të opozitës, për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm, dhe plotësuar të gjitha detyrimet e saj në raport me reformat madhore të vendit duke përfshirë reformën administrativo-territoriale me një dhe vetëm një parim që nuk mund ti iket; konsensus dhe rivendosje konsensusit. Është në dorën e maxhorancës dhe nuk ka qenë kurrë më e thjeshtë. Të jap konsensus gjithëpërfshirës, të jap konsensus për të gjithë vendimmarrjen në këtë reformë dhe të sigurojë njëkohësisht që këtë konsensus nuk do ta përdhosë siç përdhosi konsensuset dhe vendimmarrjet e mëparshme. Duke ndaluar sulmet ndaj institucioneve të pavarura e duke zhbërë efektet e paligjshme të prishjes së konsensusit të 30 majit. Më shqip se kaq, nuk bëhet. Për ambasadorët besoj se do të përkthehet në anglisht. Faleminderit!” deklaroi Basha.