Reforma territoriale, Paloka: S`mund të ketë marrëveshje pasi është shkelur konsensusi

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Edi Paloka sqaroi sot edhe kundërshtimin e opozitës për reformën territoriale.Në një prononcim për mediat, Paloka u shpreh se PD-ja nuk mund të nënshkruajë asnjë marrëveshje konsensuale me mazhorancën për këtë reformë kur kjo e fundit ka shkelur të tjera marrëveshje për të cilat është arritur konsensusi mes të dyja palëve..“Unë e bëra të qartë edhe në konferencën e kryetarëve. Që nuk mund të nënshkruhen marrëveshje të tjera me konsensus kur ka disa marrëveshje të tjera që janë shkelur nga mazhoranca e sotme. Janë shkelur dy  marrëveshje që janë bërë për mosprekje të institucioneve të pavaruara dhe këto janë shkelur. Ka filluar sulmi ndaj ILDKP-së dhe sot jemi në momentet që sulmohet edhe AMA” tha Paloka.Sipas Palokës, mazhoranca me këtë reformë synon të krijojë një hartë elektorale për të vjedhur votat e shqiptarëve."Ne kemi kërkuar dhe jemi të bindur që ajo refomë  është e nevojshme por nuk e di se cfarë kuptimi ka që ne të nënshkruajmë një marrëveshje me një mazhorancë që nuk mban asnjë marrëveshje. N.q.se ne do të uleshim në komision do të nënshkruanim, do të bënim marrëveshje, do të bënim edhe harta, një ditë të bukur do të çohej ky kryeministër që për fat të keq është edhe piktor dhe mund ta ketë qefin të çohet natën dhe të bëjë harta. Çohet natën bën një hartë të vetën, mbledh qeverinë dhe thotë kjo do të jetë harta. Ne nuk mund të bëhemi qesharak para shqiptarëve pse kemi një qeveri qesharake që nuk mban asnjë nga premtimet e saj. Sigurisht reforma është e domosdoshme dhe është e lidhur me një reformë për decentralizimin e pushtetit lokal që deri më sot po shkelet dhe me reformën zgjedhore. Fakti është që kjo mazhorancë synon të krijojë një hartë elektorale për interesat e saj. Të krijojë një hartë ku të llogarisë numrat që zgjedhjet e ardhshme  t1i fitojë ma hartë elektorale dhe jo me votat e shqiptarëve” shtoi Paloka.Paloka është pyetur edhe në lidhje me takimin e djeshëm mes kryeministrit Rama dhe kreut të FRD-së Bamir Topi për të cilin u përgjigj:”Kishin thënë se është takim privat dhe unë s`mund të merrem me pasionet e Ramës kur i ndërron dhe si i ndërron ata që e shoqërojnë”.