“Rama të japë llogari për Radikën”, Basha: Do përballet me zemëratë si për armët kimike
Lideri i opozitës i kërkoi kryeministrit, Edi Rama, të dalë para qytetarëve e të bëjë transparencën për lumin e Radikës. Në 23-vjetorin e partisë që ai drejton në Dibër, Basha theksoi se veç respektimit të kuadrit ligjor e marrëveshjeve ndërkombëtare, Kryeministri duhet të dëgjojë zërin e qytetarëve dibranë brenda dhe jashtë kufirit."Transparenca pamundëson ose e bën të vështirë korrupsionin, pamundëson ose e bën të vështirë klientelizmin, sepse transparenca është parakusht i llogaridhënies përpara qytetarëve shqiptarë. Ndaj edhe cicërimat e tij të zbehura janë gjithmonë e më shumë jo një shkak për të qetësuar, por një shkak për t'u zemëruar siç është edhe zemërata e drejtë popullore për heshtjen dhe mungesën e transparencës në raport me të ashtuquajturën projekt për lumin e "Radikës". Nga Dibra pro edhe nga sheshet e Tiranës zemëratës së ligjshme të qytetarëve i është përgjigjur vetëm me cicërima. Cicërimave dhe mohimeve ua pimë lëngun me rastin e "Armëve Kimike" dhe ai e mori mësimin, ndaj t'i thërrasi mendjes sa nuk është vonë duam transparencë dhe llogaridhënie të plotë për këtë projekt. Partia Demokratike dhe opozita shqiptare qëndrojnë të vendosur në krah të interesave të qytetarëve dibranë këtej dhe andej kufirit", tha Basha.Basha u ndal në situatën e rendit dhe sigurisë në vend, duke vlerësuar përkeqësimin çdo ditë të saj, ndërsa akuzoi Ministrin Tahiri."Ditë për ditë e natë për natë, ministri krekoset nga një televizion në televizionin tjetër, ndërkohë që jeta e çdo shqiptari është më në rrezik se kurrë më parë. Vrasje mafioze, tritol në qendër të qyteteve, grabitje me maska, sulme brenda në komisariat, rritje drastike të numrit të vjedhjeve, krimeve kundër pronës, ky është bilanci i rendit sot dhe për turp përgjigjja e vetme që marrim është larje hesapesh e vetëgjyqësi, a thua se jemi kthyer në kohën e kanunit të "Lekë Dukagjinit". Po pse e kemi Policinë e Shtetit atëherë, që të sillet vetëm si një bandë gjobëvënësish e telekomanduar!? Por ky stan këtë bylmet ka", tha kryetari i PD.Kreu i PD ka siguruar edhe njëherë se analiza në partinë që ai drejton nuk do të jetë një “gjueti shtrigash”."Analiza bëhet për të reflektuar , për të ndryshuar, për të përmirësuar. Sa më e saktë dhe e përgjegjshme të jetë analiza aq më drejtë dhe më mirë do të përqafojmë motivet e reja të ringritjes. Të mësojmë të dëgjojmë anëtarësinë, të mësojmë të dëgjojmë qytetarët dhe publikun , si premisë për të parë drejt dhe larg, të dëgjuarit është një virtyt i demokracisë së re shqiptare që ne duhet ta shndërrojmë në kulturë dhe në normë brenda shtëpisë tonë të madhe dhe pastaj të demokracisë së re gjithëpërfshirëse që është koncepti ynë i ri dhe oferta jonë e re përpara shqiptarëve në çdo fushë të jetës", tha Basha.