KLD dërgon në MD raportin e inspektimit të gjyqtarit Shtjefën Lleshi
Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa, sipas autorizimit të dhënë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë në seancën plenare të datës 17 janar 2014, dërgoi sot në Ministrinë e Drejtësisë raportin dhe dokumentacionin përkatës të inspektimit të veprimtarisë së gjyqtarit Shtjefën Lleshi, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë, për të gjykuar mundësinë eventuale mbi fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit në fjalë.Referuar gjetjeve të dala pas këtij inspektimi të përbashkët të bërë nga inspektorati i Këshillit dhe inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë, Zëvendëskryetari i KLD-së i kërkoi gjithashtu Ministrisë së Shëndetësisë, verifikimin e të dhënave mbi mjekët e familjes dhe mjekët e tjerë, të cilët kanë lëshuar akte të përdorura në këto procedime penale, duke i rekomanduar edhe zhvillimin e një inspektimi tematik mbi mjekët që lëshojnë akte për qëllime provuese në procese gjyqësore.Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, njoftoi gjithashtu Prokurorinë e Përgjithshme për rezultatin e këtij inspektimi, duke saktësuar se grupi i inspektimit e ka zhvilluar veprimtarinë e tij duke shmangur mbivendosjen me veprimtarinë hetimore të organit të akuzës për faktet që përbëjnë vepër penale.Është sygjeruar që konstatimet e këtij inspektimi të mbahen në konsideratë në procesin e hartimit të ndryshimeve ligjore eventuale të Kodit të Procedurës Penale, me qëllim uljen e hapësirave për abuzim.Në hartimin e këtij raporti janë mbajtur në konsideratë mekanizmat monitorues të inspektimit, të cilat synojnë që sistemi gjyqësor të respektojë Kushtetutën e ligjet, të jetë i aftë për të realizuar dhe mbrojtur dinjitetin, të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, si dhe të kontribuojë në parandalimin e shkeljeve të ligjit. Thelbi i institutit të inspektimit dhe mekanizmave të kontrollit është mbrojtja e interesit publik dhe interesave të ligjshëm të personave fizikë e juridikë.