A sa bukur, a!

Gjatë gjithë ditës së djeshme, fejsbuku u pushtua nga qarkullimi i një teksti që na vinte në dijeni të një ngjarjeje të rëndë. Në mes të Tiranës, një grup prej 4 personash ishin shoqëruar nga forca të shumta policore ngase kërkonin drejtësi për 21 janarin. Personat, të sajuar në mënyrë piktoreske që kamerat ta kishin kollaj t’i identifikonin në rast tollovie, kishin dashur të protestonin pranë kryeministrisë pa gardh, por milicë agresivë (tashmë ua kanë lënë atyre ta bëjnë punën e gardhit inteligjent lëvizës), i kishin shtypur me brutalitet. Disa prej tyre madje i kishin zvarritur drejt birucave. “Lironi shokët tanë”, përfundonte plot indinjatë teksti i kësaj ndodhie që u përfytyrua, u sinjalizua, u shpërnda, u përjetua dhe u hiperbolizua sigurisht nga një lap top në tjetrin e nga një smartphone tek pasardhësi. Situata dukej që ndonëse vetëm virtuale, ishte vërtetë e rëndë. Terminologjia, edhe ajo të ngjethte mishin.Gjithë dynjaja u mor dje me këtë skenar të detyruar. Studentët shqiptarë në perëndim lanë shkollën dhe rrinin me zemër të ngrirë para kompjuterëve duke pritur ndonjë lajm nga strukturat e agitprop-it. Veprimtarët në Kosovë u bënë gati të marshonin drejt qelive të komisariatit numër një për të kërkuar lirimin e bijve dhe bijave më të mira të atdheut. Bashkimi profesional i nënave të fyera të revolucionit përgatiti shamitë që do të valëviste në stacionin e trenit kur trimat do t’i nisnin për internim. Telegrame solidariteti u dërguan edhe nga kolektivat punonjëse pararojë të zonave të thella. Deri këtu, fare normale. Problemi i vërtetë fillon tani.Puna është se dje, duke u marrë të gjithë me këtë katçen e “heronjve” të rinj revolucionarë, si pa dashur u harrua ajo që do të duhej të ishte ngjarja që do të duhej të na vinte në reflektim të thellë shoqëror. Emrat e katër “të arrestuarve” iu mbivendosën dje një dite që iu vodh katër emrave të tjerë: katër njerëzve që nuk janë më mes nesh pikërisht sepse sfiduan pushtetin. Falë spektaklit të sforcuar të “shokëve tanë”, 21 janari u kthye në një ditë kur ne nuk u morëm dot me këta katër dëshmorë, por me lavdinë e kërkuar të ca kullerëve që e kërkojnë dëshmorizimin me zor (po sigurisht pa efektet më ekstreme të tij).Jam i sigurt se dikush ka qenë duke thirrur me gaz “a sa bukur, a” teksa shihte nga ekrani këtë episod që realisht ishte edhe ai produkt ekrani. Edhe pse në ekran gjithçka ngjante më banale se heroika e terminologjisë – përtej çerekorëshit të sqarimeve gojore me policinë, përtej të shtyrave vajzërishte me duar – prapëseprapë ai koktejli viziv gjakndezës “uniformë blu–shall palestinez proteste” ishte atje dhe nga ekrani, ta pranojmë, ngjante deridiku emocionuese. Deri dje paradite përshtypja se qeveria demeksocialiste kishte dështuar qëllimisht të bënte drejtësi për rastin e 21 janarit ishte gjëja më e zakonshme që i shkonte ndër mend çdo shqiptari. Pas aktit vetëflijues të vojokushëve përkatës, tashmë kërkesa për drejtësi e ka më kollaj të duket si një kërkesë utopike e një grupi të vogël ekstremistësh që i bien akoma legenit të marksizëm-leninizmës.Por kjo është vetëm gjysma e historisë. Edhe pse nuk shfaqet haptaz, në zyrat e qeverisë së pas 23 qershorit ka tension. Ky tension vjen nga rivaliteti me LSI-në, i cave që Partia Socialiste i kishte desantuar në radhët e shoqërisë civile si agjentë të maskuar dhe që dolën hapur pas 23 qershorit kur u rehatuan të gjithë si drejtorë drejtorish, agjencish, bordesh e më the e të thashë. Këta janë të mërzitur që LSI-ja po u ha nga pjesa e tyre e pushtetit dhe përdorin çkamos për t’ia vështirësuar jetën kësaj të fundit: postera në facebook, artikuj të porositur në shtyp, hackerime faqesh interneti, barceleta me Like – gjithçka për t’i kujtuar partnerit të vogël në qeveri se ai është me njollë në biografi dhe se oreksi i tij i shëndoshë nuk përputhet me siluetën e vet të errët. Së fundi, mjeti i radhës i shantazhit të tyre është edhe grupimi i kuq revolucionar që shërben si presion që vjen nga bulevardi. Përmes amplifikimit mediatik ai shërben për t’i kujtuar Metës se ai është përgjegjës për 21 janarin dhe se fajësinë e tij “siç e shihni, e kërkon populli”. Loja është bërë e bukur dhe trajnerët po shterojnë në të edhe rezervat e fundit.A do të ketë më në fund drejtësi për 21 janarin? Nga dita e djeshme, kjo ngjan edhe më e largët. Çka është e sigurt është se luftës së brendshme për pushtet në qeveri iu shtua edhe një kobure me saçme të kuqe që shtin nga jashtë./Burimi: mapo.al/