Panariti në Lezhë: Ndërhyrje urgjente për pastrimin e brigjeve të Gjadrit

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, zhvilloi sot një inspektim në zonat e përmbytura në qarkun e Lezhës.Ministri Panariti inspektoi gjithë zonën e përmbytur, duke nisur nga zona e Balldrenit, Kakarriqit dhe u ndal në komunën Dajc për të parë nga afër situatën dhe për të biseduar me zyrtarë dhe banorë të zonave të përmbytura, ku lumi Gjadër ka dalë nga shtrati.Panariti pasi u njoh me situatën deklaroi krijimin e një shtabi emergjencë për këtë qark, të kryesuar nga vetë ai, i cili do të detajojë një plan ndërhyrjeje për të pastruar anët e lumit Gjadër në një gjatësi 12 km por edhe për të pastruar kanalet e dyta dhe të treta që kalojnë nëpër parcelat e banorëve.Ministri me këtë rast kërkoi bashkëpunimin edhe të banorëve dhe pushtetit lokal për pastruar gjithë kanalet kulluese të para, të dyta dhe të treta. Ndërhyrja do të nisë me fondet e Ministrisë së Bujqësisë, sapo të evadohen ujërat nga sipërfaqet e përmbytura aktualisht.Panariti u shpreh se hidrovori i Tales në Lezhë ka qenë në funksion të plotë dhe vazhdon të funksionojë. Gjithsesi sasia e rreshjeve në 24 orët e fundit i ka kaluar 100 mlm ndaj dhe situata është bërë dramatike.Ministri i Bujqesise bëri me dije se e njëjta situatë është dhe në Shkodër, ku një ditë më parë nga ora 6.00 e mëngjesit deri në 20.00 të mbremjes ka patur ndërprerje të energjisë elektrike dhe kjo ka sjellë mosfunksionimin e hidrovorëve në Ças e Velipojë.Me këtë rast, ai bëri apel organeve që furnizojnë me energji elektrike këto hidrovorë, që të krijojnë linja te dedikuara për ta dhe të mos i lidhin këto linja me banesat. Kjo thirrje bëhet që hidrovorët të jenë në kapacitet të plotë, ndërsa priten shira të tjerë në ditët në vazhdim.