8 vjet nga vdekja e Rugovës, Basha: Arkitekti i Kosovës moderne dhe europiane
Këtë 21 janar bëhen tetë vjet nga ndarja nga jeta e presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova, figura e të cilit po përkujtohet me një seri aktivitetesh. Në çdo përvjetor, varri i Rugovës në lagjen Velania të Prishtinës bëhet vendtakim për liderët politikë dhe qytetarët që vlerësojnë veprën e tij.Vlerësimet nuk kanë munguar edhe nga politika shqiptare. Shefi i opozitës, Lulzim Basha, përmes një mesazhi vlerëson kontributin dhe veprën e politikanit të shquar, liderit humanist dhe vizionar, arkitektit të Kosovës moderne dhe europiane.“Në tetë vjetorin e ndarjes nga jeta të Presidentit Ibrahim Rugova, çdo shqiptar përulet sot me nderim dhe respekt përpara emrit dhe veprës së Presidenti Rugova është simboli i përpjekjeve të Kosovës për pavarësi. Ai u bë nismëtari i lëvizjes më të madhe paqësore për liri dhe dinjitet njerëzor në Europë. Atë që Presidenti Rugova theksonte vazhdimisht, se pavarësia e Kosovës do të qetësonte rajonin dhe do të kontribonte për demokratizimin e të gjithë rajonit, sot po e shohim të jetësohet çdo ditë.Ibrahim Rugovën e kujtojmë sot edhe si një ndër themeluesit e partisë së parë demokratike në hapësirën gjithshqiptare - Lidhjen Demokratike të Kosovës.Vizioni, përkushtimi, dhe vepra e tij për paqe, liri, demokraci dhe pavarësi, e kanë lartësuar përgjithnjë Presidentin Rugova në altarin e shenjtë të kujtesës dhe historisë së Kosovës dhe mbarë kombit shqiptar” shprehet Basha.Rugova u nda nga jeta më 21 janar të vitit 2006, në moshën 61-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.