Cani me homologun kosovar: Marrëveshjet e Prizrenit drejt zbatimit
Bizneset nga Shqipëria duhet të jenë shumëfish më të pranishme në Kosovë dhe ato kosovare duhet të jenë shumëfish më të pranishme në Shqipëri, në mënyrë që të hapen rrugë për një treg të përbashkët, duke përfituar kështu ekonomitë e dy vendeve. Kështu deklaroi Ministri i Financave Shkëlqim Cani pas takimit me homologin e tij kosovar Besim Beqaj.“Biznesi është ai që i hap rrugët, ai që është më agresivi, ai që në fund të fundit është i pari dhe më dobisjellës dhe dobimarrës në tërë këtë punë që ne po mundohemi dhe natyrisht që një nga qëllimet është që popujt tanë të përfitojmë, por brenda këtyre popujve natyrisht që nënkuptojmë edhe bizneset tona të përfitojnë. Takimi më biznesin ishte shumë frytdhënës dhe shumë i hapur, natyrisht ne do të vijojmë edhe më tej me këtë për arsye se ne presim që edhe biznesi shqiptar të jetë shumë fish më i pranishëm në Kosovë, po kështu edhe biznesi kosovar të jetë shumë fish më i pranishëm në Shqipëri në të gjitha drejtimet, jo vetëm në tregti por edhe në investime, por edhe në investime të përbashkëta”tha Ministri Cani.Cani, foli dhe për takimin e Prizrenit, të cilin e quajti takim emocionues por dhe frytdhënës. Ai theksoi dëshirën dhe vullnetin e qeverie të të dy vendeve, për të forcuar bashkëpunimin në ekonomi dhe fusha të tjera. Cani nënvizoi se synim i qartë i dy vendeve mbetet rruga drejt ekonomisë europiane.“Vij nga Tirana, për të çuar në terma praktikë dhe veprues sa më shpejt frymën e cila vjenë nga takimi i Prizrenit me dëshirën dhe vullnetin e të dy Qeverive për të ecur në rrafshin ekonomik , por edhe të gjitha rrafshet e tjera, sa më shpejt të jetë e mundur në dobi të të dyja vendeve. Natyrisht duke qenë dy vende që synojnë haptas, qartas dhe fuqishëm drejtë Bashkimit Evropian, natyrisht e tërë kjo atmosferë vëllazërore, miqësore dhe e dëshirave të mira sheh për nga progresi i ekonomive të të dyja vendeve, por me një synim shumë të qartë të të dyja vendeve drejtë ekonomisë evropiane” shtoi ministri Cani.Nga ana tjetër, Ministri i Financave të Kosovës Besim Beqaj, tha se në këtë takim kanë biseduar për bashkëpunimin në mes dy qeverive, në mënyrë që harmonizimi i politikave ekonomike, politikave fiskale dhe hapja e rrugës së bashkëpunimit ekonomik, të thelohet dhe më tej.“Në kuadër të takimit që kishim javën e kaluar,takimi i cili dërgon një sinjal jashtëzakonisht të fuqishëm të nivelit rajonal të bashkëpunimit të qeverive tona, sot diskutuam edhe për detajet e marrëveshjes reciproke për heqjen e tatimit në vlerën e shtuar për librin dhe për shtypin, gjë që Qeveria e Shqipërisë e ka bërë më herët, ndërsa ne konform një marrëveshje reciprociteti me Republikën e Shqipërisë do ta bëjmë shumë shpejt”, u shpreh ministri i Financave, Besim Beqaj.Ai më tej bëri të ditur se gjatë takimit kanë biseduar edhe për rinegocimin dhe përditësimin e marrëveshjes për heqjen e tatimeve të dyfishta. Sipas tij marrëveshja e cila tanimë është në diskutim, do të nënshkruhet brenda tremujorit të parë të këtij viti.