Berisha, Cannon: Rama po dhunon sistematikisht Kushtetutën dhe ligjet e vendit
Ish-kryeministri Sali Berisha priti sot në një takim ambasadorin e Britanisë së Madhe në vendin tonë zotin Nicholas Cannon, me të cilin diskutoi gjerësisht për zhvillimet në vend.Gjatë bashkëbisedimit Berisha i shprehu ambasadorit Cannon mirënjohjen për Britaninë e Madhe për gjithë mbështetjen dhe ndihmën që i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve.Zoti Berisha në këtë takim shprehu shqetësimin e tij lidhur me zhvillimet e lidhura me proçesin e integrimit të Shqipërisë, që është edhe projekti kryesor i vendit. Në këtë kontekst, ish kryeministri Berisha theksoi se zoti Rama, nën moton “nuk zbatojmë ligjet e Berishës”, dhunon sistematikisht Kushtetutën dhe ligjet e vendit dhe i rrëzon ato me vendime qeverie.“Kështu, gjatë këtyre muajve, ai ka dhunuar me vendime të qeverisë, nenet e Kushtetutës që garantojnë pronën, banesën dhe simbolet; ka dhunuar ligjin për statusin e nëpunësit civil; ligjin e pushtetit vendor dhe atë të urbanistikës; ligjin e Policisë së Shtetit; ligjin e statistikave të vendit; atë të Komisionit të Prokurimeve Publike; ligjin e Agjensisë së Pastrimit të Parave; ligjin e Inspektoriatit të Ndërtimit; ligjin për bordin e mediave dhe audiovizionit (AMA), etj”, u shpreh Berisha.Ish-kryeministri theksoi gjithashtu se zoti Rama, në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit dhe standartet evropiane, ka vendosur në krye të Policisë së Shtetit një komisioner të Partisë Socialiste, në krye të Agjensisë së Pastrimit të Parave ka vendosur kryefinancierin e PS, në krye të Institutit të Statistikave anëtarë dhe drejtues të strukturave të PS dhe G-99, ndërsa në krye të Komisionit të Prokurimit Publik ka vendosur një nga personat më të politizuar të vendit.Ish-kreu i demokratëve shprehu shqetësimin se shteti ligjor po rrënohet gjithashtu, sepse maxhoranca ka përpunuar konceptin e pavlefshmërisë së vendimive të Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave të tjera të vendit, ndaj dhe Rama i rrëzon ato në mënyrë të përsëritur me vendime qeverie.“Sulmi kundër institucioneve kushtetuese dhe institucioneve të pavarura të vendit, është axhenda kryesore e qeverisë. Kështu, për të fshehur pasuritë e tyre, qeveria Rama-Meta do me cdo kusht të shkarkojë kryetaren e ILDKP. Sot, në gjykatat e vendit, përfshi edhe atë Kushtuese, ka gjykatës të kërcënuar me jetë nga segmente të pushtetit, madje të kërcënuar me telefon ose nga mesazherë nga vet Rama. Me shpejtësi po shkohet drejt rrënimit të shtetit ligjor, ndërkohë që korrupsioni po rritet në mënyrë galopante dhe trafiqet janë shumëfishuar”,tha ai.Në këtë takim, z. Berisha u shpreh se është i mendimit se Shqipëria ndihmohet duke insistuar në zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e standarteve evropiane. Ai theksoi se ajo nuk ndihmohet nga ata të cilët, në një mënyrë ose në një tjetër bëhen dëshmitarë të rremë duke paraqitur zhvillimet në vend krejt ndryshe nga realiteti, dhe flasin për dialog, ndërkohë që në vend ka tritol.Diskutimi ishte i hapur dhe u përqëndrua dhe në çështje rajonale, etj.