Kosova dhe Serbia po përgatisin pikat kufitare
Kosova dhe Serbia po punojnë për të vendosur pikat kufitare në Merdar para datës 10 dhjetor, kur parashikohet të nisë zbatimi i Marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit (IBM).Pak metra larg pikës së tanishme doganore të Kosovës, po bëhen gati hapësirat ku do të vendosen objektet e përkohshme.Në të njëjtën kohë makineritë e kontraktuara nga serbët po hapin dhe po rrafshojnë terrenin edhe në rrugën e cila të çon nga Jarinja në Rudnicë ku do të pozicionohen pjesëtarët e përbashkët të policisë dhe të doganës serbe. Pikat e përbashkëta doganore në Merdar dhe Bërnjak është duke i ndërtuar pala kosovare ndërsa pikat në Dheun e Bardhë dhe Jarinjë është duke i ndërtuar pala serbe.Marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit, e arritur në Bruksel, do të zbatohet edhe në 2 pikat e tjera ekzistuese, por më parë menaxhimi i përbashkët do të zbatohet vetëm në katër pikat e vendosura më herët.Zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Sasha Rashiç, ka deklaruar për gazetën serbe “Politika” se ekipet teknike të Beogradit e Prishtinës po mbajnë takime pune dhe po i shqyrtojnë detajet. Ai ka sqaruar se në të gjitha gjashtë objektet e përkohshme do të vendosen pjesëtarët e Doganës, të Policisë dhe EULEX-it.