Mbledhja e 2 qeverive më 11 Janar, Rama dhe Thaçi japin detaje për takimin në Facebook
Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës kanë vendosur ta nisin bashkë rrugëtimin për përmbushjen e sfidave të 2014-ës. Dy kabinetet do të mblidhen për herë të parë bashkë në 11 janar.Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi konfirmoi se mbledhja do të mbahet në Prizren, ditën e shtunë.Përmes faqes së tij zyrtare në rrjetin social "Facebook", numri një i qeverisë së Kosovës thekson se në këtë mbledhje do të merren vendime të rëndësishme për procesin integrues të dy vendeve"Mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë do të mbahet më 11 Janar 2014 në Prizren! Në mbledhjen e parë do të marrim disa vendime të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe atë në fushën e integrimit evropian! Po ashtu, do të vendosim modalitetet për themelimin e një fondi zhvillimor për Luginën e Preshevës! Bashkëpunimi mes nesh tani e tutje do të jetë edhe më i strukturuar. Synojmë një qasje të përbashkët dhe strategjike për interesat tona vitale. Fillimi i një rrugëtimi të ri” shkruan Thaçi.Pak minuta më vonë edhe kryeministri Edi Rama i dedikoi një status në Facebook mbledhjes së përbashkët duke e çmuar si një faqe të re të bashkëpunimit mes dy qeverive.“Mbledhja e parë e përbashkët e qeverive të Shqipërisë e Kosovës do të mbahet në 11 janar në Prizren. Do të çelim një faqe krejt të re bashkëpunimi mes dy qeverive që kanë sfidën e njëjtë të demokratizimit, modernizimit dhe integrimit të dy shteteve shqiptare në Bashkimin Europian. Me vetëdijen e lartë për potencialet e zhvillimit dhe nevojat për zhvillim të popullit shqiptar në të dy anët e kufirit, dy qeveritë do të ndërtojnë një qasje të përbashkët strategjike për të hapur perspektiva të reja ekonomike, sociale e kulturore për qytetarët tanë” thekson Rama.Kryeminsitri shkruan se kjo mbledhje do të zhvillohet edhe në shenjën e solidaritetit me bashkësinë shqiptare të Preshevës, të cilës të dyja qeveritë do t'i akordojnë një fond të posaçëm ndihme për ngritjen e maternitetit të ri. Fondi për manternitetin e Luginës së Preshevës ishte një premtim i socialistëve gjatë fushatës elektorale.Mbledhja e përbashkët e qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë ishte parashikuar të mbahej që në muajin nëntor, por shtyrja e mbledhjes erdhi për shkak të zgjedhjeve vendore në Kosovë.