Lamtumira për Florent Çelikun, homazhe në MPJ për ambasadorin në Poloni

I jepet lamtumira e fundit ish-ambasadorit shqiptar në Poloni Florent Çeliku, në një ceremoni homazh organizuar nga ministria e jashtme.Holli i këtij dikasteri ka pritur qindra qytetarë,miq,të afërm dhe dashamirës të Çelikut, i cili u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme si pasojë e një sëmundje të rëndë.Me lotë në sy kolegët dhe familjarët kanë përcjellë njeriun e tyre të dashur, i cili la në mes një karrierë të pasur në diplomacinë e vendit tonë. 45-vjeçari Çeliku ishte anëtarë i shërbimit diplomatik të Shqipërisë prej vitit 1992 dhe gjatë kësaj periudhe kishte mbajtur detyra të rëndësishme në disa vende të Europës,kryesisht ato të lindjes.Ndërkohë përveç shërbimit të tij si ambasador në Poloni, ai ka mbajtur këtë post  edhe në vende si Ukrahina, Lituani, Letoni dhe Estoni, ndërsa detyrë e lartë e tij ka qënë edhe ajo e zëvendës ministrit të jashtëm të Shqipërisë.Në karrierën e tij të pasur prej 22 vitesh Florent Çeliku ka dhënë kontributin e tij edhe në ndërtimin e marrëdhënieve mes SHBA-ve dhe Shqipërisë, si anëtarë i delegacionit shqiptarë për zgjidhjen e çështjeve të mbartura mes dy vendeve.I veçantë ka qënë kontributi i tij edhe gjatë luftës së Kosovës,ku ka dhënë ndihmën e tij për mbi 1 mijë refugjatë kosovarë të cilët ishin vendosur në Poloni në këtë periudhë.Me ndarjen nga jeta të Çelikut Shqipëria ka humbur një diplomat karriere,i cili gjatë 22 vitesh shërbim arriti të përmirësonte marrëdhëniet e Shqipërisë në secilin do vend që punoi.