Spanja shpresë në 2014, kryeministri: Rimëkëmbje, do luftojmë papunësinë
Kryeministri i Spanjës Mariano Rajoy beson se viti i ardhshëm do të sjellë rritje ekonomike dhe më shumë mundësi punësimi."Unë mund të them gjithashtu se 2014 do të jetë vit më i mirë, me më shumë aktivitet ekonomik dhe rritjen ekonomike. Vitin tjetër, kur unë të dal perpa jush përsëri, më pak njerëz do të jenë të papunë në Spanjë dhe më shumë do të punojnë " tha Rajoy në një konferencë për shtyp.Ekonomia spanjolle doli nga recesioni në tremujorin e tretë të vitit 2013. Papunësia mbetet shumë e lartë - në 26 për qind. Ekonomia e Spanjës është tkurrur ose ka qëndruar në vend çdo vit që nga 2008-a, kur rënia e tregut të patundshmërive la miliona njerëz pa punë, shkaktoi një krizë të thellë në sektorin financiar dhe çoi mijëra kompanive në falimentim.Spanja u bë vendi me njërin prej deficiteve më të lartë publikë të eurozonës dhe sektori i ndërtimeve u paralizua. Që nga ajo kohë, qeveria u detyrua të miratojë masa të ashpra shtrënguese dhe reforma strukturore në përpjekje për të pastruar financat e vendit dhe për t'i rikthyer atij shëndetin ekonomik. Sipas parashikimeve të qeverisë, prodhimi ekonomik pritet të zgjerohet 0.7 përqind në vitin 2014 pas një tkurrjeje prej 1.3 përqind këtë vit.