Kuvendi ‘rrëzon’ Berishën: Qeveri “zuzare”, ndryshon rregullat në mes të lojës
Me 73 vota kundër dhe 33 pro Kuvendi rrëzoi amendamentet për paketën fiskale të propozuar nga ish-kryeministri Berisha, Mediu dhe Bushati. Ish-kryeministri Berisha kërkoi që të votohet amendamenti për sigurinë ligjore. Ai u shpreh se bizneseve me të cilat janë nënshkruar kontratat me taksën 10% tashmë po u ndryshohen rregullat e lojës.“Kërkon që ky shtet të respektojë atë që quhet siguri ligjore dhe përbën zemrën e shtetit ligjor. Janë me qindra kontrata të firmosura me këtë shtet, janë projekte gjigande nga TAP, e deri tek gjigandi i Devollit, janë me qindra kontratat e tjera. Ky vendim është i ndëshkueshëm nga çdo gjykatë. Nga ky vendim do rrokullisen financat e vendit. Ky regjim fiskal pas zotimeve solemne do t’i thotë investitorëve se nuk do paguani 10 po 15 %. Kjo shkel marrëveshjet kontraktuale dhe është hap fatal për investimet. Ne pa pritur sot ju ndryshojmë rregullat në mes lojës. Ky veprim quhet zuzar. Ky veprim nuk mund të bëhet nga askush dhe është i ndëshkueshëm nga çdo gjykatë. Hapni këtu tiparin e dhjetra proceseve gjyqësore me të cilat do të rrokullisen më rëndë financat e shtetit. Ju shkelmoni një marrëdhënie kontratuale në mënyrë të pa imagjinueshme. Unë kërkoj që qeveria të heq dorë nga përdorimi i kësaj platforme mashtrime dhe vetëm mashtrime.Kërkoj që të tërhiqen nga kjo taksë. Del i ashtuquajtiri ministër në Ekonomisë, që eshtë tabula rasa në ekonomi, dhe flet për vendet e punës. Ty të ka ngelur ora në terr dhe injorancë të plotë duhet të dish mirë sa kushton një vend pune”tha ai.Berisha apeloi qeverinë Rama të ndalë presionet ndaj ekonomisë. Sipas tij me këtë pesimizëm dhe dramacitet qeveria injekton vetëm largim dhe frikë të parasë.“Më duhet t’i them kryekreut, se këto ditë ka një shfaqje shumë të rëndë në tregjet financiare të vendit. U emetuan obligacionit 2-vjeçare në euro, dhe në vend të 40 mln euro të kërkuara, të gjitha ofertat e e marra së bashku, u kërkuan 24 mijë euro. U emetuan obligacione me interes fiks 7-vjeçar dhe sërish u ofruan shumë pak. Është rritur borxhi në vend. Ndërsa kreu i qeverisë është shpallur kukuthi i tregjeve të parasë, ndaj i them stop presionit të ekonomisë. Me këtë pesimizëm, dramacitet ju injektoni vetëm largim dhe frikë të parasë. Kërkoj që t’i jepet qytetarëve ndihma ekonomike, pagesa e aftësisë së kufizuar dhe paga e 13-të. Dhe të paguhen biletat 52 mijë e “Belle Air” sepse i latë shqiptarët rrugëve, me falimentimin që i bëtë kompanisë për ta marrë për vete”, u shpreh Berisha.Referuar projekbuxhetit, ish-kryeministri Berisha tha se parlamenti sot po voton për të rrëzuar përdhe ekonominë shqiptare. Ai tha se Rama e ka tejkaluar ish kryeministrin grek Papandreu.“Këtë ditë, mund ta emërtosh në shumë mënyra, me votimet sotme, ky parlament po voton për të rrëzuar përdhe ekonominë e Shqipërisë. Një ekonomi e cila i qëndroi krizës. Këtu po votohet një paketë për ta zhytur me shpejtsi ekonominë në krizë. Kemi dëgjuar disa herë këtu, të përdoret shembulli i premtimeve të Papandreut. Kryekreu e ka kaluar Papandreun. E ka tejkaluar Papandrreun, sepse nuk imagjinoi kurrë të rriste me 8% taksën e naftës, në një kohë kur kryekreu, është zotuar se do të hiqet akciza e naftës për bujqësinë, dhe taksa e qarkullimit. Sot e rrit në mënyrë katastrofale çmimin e naftës dhe jua servirni shqiptarëve se kjo është taksa e karbonit. Kjo taksë ka vite që mblidhet. Taksa e qarkullimit, është taksa e gijotinës. Pasojë e parë madhore e çmimit të naftës, është recesioni. Çmimi i naftës i jep rritje të gjitha çmimeve të tjera, në krye të rradhës çmimet e ushqimeve”- theksoi Berisha.