Policia rrugore Berat, shton numrin e patrullave dhe kontrolleve

Shtimi i mjeteve në rrugët e qytetit si pasojë e kthimit të emigrantëve për festat e fundvitit, ka shkaktuar problematikat e para në trafik në qytetin e Beratit. Fakti që ky qytet ka vetëm një rrugë hyrëse por dhe mungesa e sinjalistikës, janë arsyet që ndikojnë për bllokimin e automjeteve në rrugë, duke shkaktuar radhë të gjatë.Për të shmangur problematikat në qarkullim dhe parandaluar aksidentet, policia rrugore ka nisur hartimin e një plani masash të detajuara, duke shtuar kontrollet në rrugë. Ilirjan Lala, shefi i njësisë rrugore në Berat, bëri me dije se gjatë këtyre ditëve po punohet me efektivë shtesë ndërsa janë kryer edhe mjaft ndalime apo masa administrative ndaj kundravajtësve.Kontrollet do të vazhdojnë edhe pas largimit të emigrantëve, ndaj policia e qarkullimit rrugor në këtë qytet bën edhe një herë thirje për qytetarët të respektojnë rregullat dhe ligjin, pasi masat do të jenë të rrepta.