Ekonomia 2014, sfidat e përballjes
Nëse stabiliteti makroekonomik është përmendur përgjithësisht si një rutinë e fjalorit të ekonomistëve, për vitin 2014 kjo fjalë merr një kuptim thelbësor. Gjendja e financave publike të vendit dhe në veçanti nivelet e huamarrjes publike për vitin 2014, duke iu afruar shifrës së 1 miliard dollarëve, është shifra rekord në historinë e financave tona publike. Kjo ngjarje ekonomike ka dy domethënie: nga njëra anë është stimuli më i madh që i jepet ekonomisë, duke ndihmuar në rritjen ekonomike të vendit që prej disa vitesh vazhdon të jetë shumë anemike; nga ana tjetër, është edhe rreziku më i madh për stabilitetin e financave publike. Në aspektin pozitiv, rritja e huamarrjes është me efekte pozitive pasi stimulon kërkesën e ekonomisë. Në veçanti, shlyerja e pagesave të prapambetura duhet të japë një efekt pozitiv të fortë edhe për sektorin bankar, që tani përbën edhe brishtësinë më të shtuar në sistemin tonë ekonomik. Por në aspektin negativ, rritja e huamarrjes në këto nivele mbart rrezikun e kostos së borxhit që mund të provojë të shndërrohet në një kërcënim për stabilitetin e financave publike. Përkeqësimi në renditjen e vendit në besueshmërinë e kreditimit nga agjencitë ndërkombëtare, është një sinjal negativ që i jepet agjentëve të tregut financiar. Kjo mund të bëjë që të jetë e vështirë ngritja në treg e financimeve të kërkuara nga ekonomia, ndërsa financimet e donatorëve ndërkombëtarë (Banka Botërore dhe FMN janë të shtrira në kohë trevjeçare dhe që ndjekin një kalendar kohor të pavarur nga nevojat e brendshme buxhetore). Ndikimi që mund të japë kjo masë financiare në rritjen e normës së interesave të tregut, do të ketë ndikime negative edhe në investimet private, duke iu shtuar kështu veprimit të rritjes së barrës fiskale që shoqëron ndryshimet e propozuara të legjislacionit fiskal.Pra, rritja ekonomike e vendit merr stimuj fiskalë të fortë, por sistemi ekonomik bëhet edhe më shumë i brishtë ndaj çdo goditjeje të mundshme. Për këtë arsye, besoj se del një çështje prioritare nevoja e vendosjes së një rregulli të ri fiskal, një rregulli kufizues rigoroz në mënyrë që të krijojmë një perspektivë të qartë se çfarë do të ndodhë me gjendjen e financave publike. Hartimi dhe diskutimi i programit buxhetor afatmesëm për tri vitet e ardhshme është dokumenti kryesor strategjik që do të na krijojë një panoramë më të qartë të zhvillimeve të pritshme në vitet në vazhdim./Burimi: mapo.al/