Përrenjtë në Gjirokastër, probleme në shëndet por edhe në imazhin e qytetit

Përrenjtë malorë në Gjirokastër vazhdojnë të jenë mjediset më të ndotura në qytet. Të mbuluar nga mbeturinat, ata jo vetëm rrezikojnë shëndetin e banorëve, por  dëmtojnë edhe imazhin turistik . Janë me mijëra tonelata mbeturina dhe inerte që derdhen çdo ditë në përrenjtë e lagjeve të qytetit të gurtë. Rehabilitimi kërkon një fond tepër të lartë që është aktualisht i pamundur të sigurohet prej të ardhurave lokale për pastrimin dhe mirëmbajtjen pasi në mes të këtyre pirgjeve mbeturinash gjenden edhe municione të mbetura nga viti 1997.Mbipopullimi me mbetje urbane të hedhura pa kriter në shuma zona të qytetit e sidomos në zonat informale, janë bërë një problem i mprehtë prej shumë vitesh në Gjirokastër. Edhe pse jo të pakta në numër, iniciativat e Ndërmarrjes Komunale për rehabilitimin e  tyre nuk kanë gjetur zgjidhje, ndërsa prej kohësh diskutohet ndërtimi i një landfilldi, projekti i të cilit ka mbetur vetëm në letër.Aktualisht në qytetin e Gjirokastrës ka vetëm një pikë grumbullimi mbeturinash, por pa leje mjedisore dhe ç'është me e keqja ajo ndodhet vetëm 150 m larg zonës së banueshme duke bërë që herë pas here tymi i djegies së mbetjeve të mbulojë pjesën e poshtme të qytetit, ndërsa në rang qarku vetëm 2 nga 32 njësi vendore organizojnë mbledhjen e mbeturinave urbane me kosha në territorin e tyre.