50 shqiptarët të bllokuar në Bregana të Sllovenisë: Po na diskriminojnë
50 shtetas shqiptarë, përfaqësues të Kishës katolike,të cilët udhëtonin drejt Strasburgut për festimin e natës së ndërrimit të viteve janë bllokuar prej disa orësh nga autoritetet doganore në Slloveni. Denoncimi është bërë nga një prej personave të bllokuar në doganë, shtetasi Ardian Ramushi, i cili në një lidhje direkte telefonike në emisionin “Alarm” në RTV Ora News, akuzoi autoritetet doganore sllovene për diskriminim. Sipas tij, policët sllovenë u kanë anuluar vulat me një pretendim terësisht banal.“Jemi një grup shqiptarësh prej 50 vetash, që jemi nisur drejt Strasburgut për festat e fundvitit. Kemi probleme në doganën sllovene. Që në doganën e Malit të Zi patëm probleme, ndenjëm për 2 orë. Autoritetet doganore sllovene nxorën një pretekst banal, që autobusi me të cilin ne udhëtonim nuk kishte biletë parkimi, kishte një muaj që nuk kishte lëvizur jashtë vendit. Policët sllovenë na ofenduan. Ne tani jemi në doganë. Ne po qëndrojmë pasi ata na anulluan vulat. Biletat të cilat i kemi prerë për këtë udhëtim shkojnë diku tek 170 euro, ne kishim ftesat nga kisha katolike dhe ne na presin atje” tha ai.Ndërkaq Ramushi apeloi autoritetet shqiptare të vihen menjëherë në lëvizje për zgjidhjen e kësaj situate.“I bëj thirrje Ministrit të Brendshëm dhe atij të Jashtëm, ambasadorit tonë në Slloveni që të marrin menjëherë masat. Është diskriminim i hapur, një shkelje e të drejtave të lirive themelore të njeriut”u shpreh ai.I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i autoriteteve shqiptare, të cilat kanë nisur kontaktet me autoritetet sllovene për zgjidhjen e çështjes.