Statusi që nuk erdhi nga brenda raporteve me jashtë
Prej më shumë se një jave që nga refuzimi i statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian për Shqipërinë, kërkohen arsyet ose motivet pse kjo nuk ndodhi. Si zakonisht nga pozita antagoniste, leximi i qeverisë flet për arsye që dalin jashtë saj, ndërsa leximi i opozitës i gjen motivet brenda te kjo qeveri dhe te ky Kryeministër. Në media dhe në spektrin e opinioneve publike nuk kanë munguar zërat dhe shpjegimet alternative, që i kërkojnë arsyet brenda dhe jashtë njëkohësisht.Nuk ka dyshim që shpjegimet duhen kërkuar në qiellin e marrëdhënieve të Shqipërisë me jashtë, edhe pse jo në sjelljen me hënë të keqe të BE-së në prag zgjedhjesh të brendshme, apo në ftohtësinë e yjeve që rrinë e na vështrojnë që nga Britania e Madhe, te Franca, Gjermania, Holanda e deri Suedia e Danimarka. Aq më pak te konstelacioni i përjetshëm i armiqve të jashtëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve, apo te mbrapshtia e numrit 13 njëherë në 100 vjet që nga 1913-ta deri në 2013-n. Edhe pse në të vërtetë ky refuzim i ka të gjitha shenjat e një “mbrapshtie” historike, duke shënjuar një ndërprerje, një stopim jo si tre të tjerët në avancimin e Shqipërisë drejt marrjes së statusit të vendit kandidat dhe anëtarësimit të mëtejshëm me të drejta të plota në BE! Një refuzim që mund të hapë kursin e një “JO”-je afatgjatë për Shqipërinë në kushtet kur ajo buron nga brenda raporteve ose marrëdhënieve të Shqipërisë me jashtë.Të thuash që refuzimi erdhi nga brenda raporteve të vendit tonë me ata që duhet të ishin aleatët tanë ndërkombëtarë, sigurisht nuk flet për ndonjë skenar komploti të brendshëm nga shqiptarët në dëm të shqiptarëve, interpretim që ka mbetur si forcë e zakonit të keq. Nuk do të thotë as që pritej që qeveria rishtare e Shqipërisë të prodhonte një ndryshore të atillë të brendshme, e cila të mund të bindte vendet e tjera të BE-së për meritimin e statusit. Ama, nga raportet e Shqipërisë me këto vende diçka mund të pritej. Mund të pritej së paku që të ruhej ajo ndryshore historike që dukej se ishte vendosur tanimë. Ajo ndryshore që e kishte sjellë Shqipërinë tri herë aq afër marrjes së statusit. E njëjta ndryshore historike që u bë konkrete me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe me zgjidhjen që iu dha çështjes shqiptare në Kosovë.Një refuzim jo në linjën e Ndryshores së vendosur, sigurisht që flet për prapakthim në marrëdhëniet e Shqipërisë me jashtë, me ato të BE-së, por edhe me vetë SHBA-të si fuqia më e madhe aleate që i ka mbështetur aspiratat e vendit tonë. Ky refuzim nuk ishte pra si tre të tjerët, sepse nuk qëndron më as në fillin e kushtit të vetëm të mbetur pa u plotësuar, as në kursin e Ndryshores historike të marrëdhënieve të Shqipërisë me jashtë dhe kryesisht të atyre me SHBA-të, por për efekt edhe me Britaninë apo Gjermaninë. Ky refuzim është shenja më e qartë që flet për kthim pas në konstanten historike të raporteve tona me vendet perëndimore.Sigurisht nga Shqipëria zor se pritet që të jetë vetë kapitene e anijes që e shpie në BE, në kuptimin që ta fitojë nga brenda statusin. Ka një konstante historike në pritshmëritë e vendeve perëndimore ndaj Shqipërisë, duke parë tek ajo atë që duan të shohin, atë që janë mësuar të shohin, të përfytyruarën, vijueshmërinë, që i përgjigjet një kornize të anormalitetit, konfliktualitetit dhe papërshtatshmërisë së vazhdueshme. Nuk është rastësi që “The Economist” e këtyre ditëve jo vetëm pret që të ndodhin ato gjëra që është mësuar të raportojë nga Shqipëria, por edhe parashikon që ato të ndodhin kur shprehet se Shqipëria e vitit 2014 do të “përmbytet” nga protestat dhe konfliktualiteti politik.Mirëpo, kjo nuk do të thotë që Shqipëria nuk ka një rol për të luajtur. Dhe ky rol është të ruajë shkëndijat pozitive që shfaqen në raportet me vendet e BE dhe SHBA-të në funksion të marrjes së statusit. Këto raporte ose marrëdhënie përcaktojnë shumëçka. Në këto kushte, t’i cenosh këto marrëdhënie, ose të mos jesh në gjendje t’i ushqesh ato, do të thotë të rrëmosh në kah të kundërt, duke penguar ecjen përpara të anijes.Se çfarë konkretisht ka ndodhur në raportet ndërkombëtare të Shqipërisë me një pjesë të këtyre vendeve, që i përkeqësoi qëndrimet e tyre, duke i bërë papritur refuzuese të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, kjo është një pyetje që kërkon përgjigje të thelluara edhe nga profesionistë të fushave përkatëse si marrëdhënieve ndërkombëtare, historisë etj.Në fakt, nuk kanë gjetur ende shprehje pikëpamjet e studiuesve të këtyre fushave në lidhje me refuzimin që iu bë Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat në kontekstin e mësipërm, edhe pse duhet t’u interesojë si objekt studimi. Komunikimit jo më pak se të tjerave. Dritarja prej nga vrojton ky artikull është pikërisht komunikimi. Duke mos ndarë për këtë fushë studimore kuptime naive që e shohin procesin e komunikimit thjesht si transmetim mesazhi, pasi proceset e komunikimit kuptohen më tepër duke lexuar marrëdhëniet ndërmjet palëve në komunikim, sesa duke lexuar vetëm atë që thuhet, pra mesazhin.Do të ishte kësisoj naive që refuzimi i statusit të lexohej vetëm përmes mesazheve zyrtare të Brukselit apo të Tiranës. Pavarësisht se hartohet një mesazh në formën e një raporti zyrtar nga instancat burokratike në Bruksel, pjesa kryesore e mesazhit mbetet e pathënë. Ky është ndër ato raste kur mesazhi konsiston jo në atë që thuhet, por në atë që nuk thuhet. Aq më pak mund të shërbente si pistë e drejtë për të kërkuar shpjegime të qarta në lidhje me këtë refuzim, mesazhi mistifikues i Kryeministrit Rama në daljen e tij publike pas refuzimit të statusit. Si palë në komunikim ose aktor në marrëdhënien me BE-në, për marrjen e statusit të vendit kandidat, mesazhi i qeverisë shqiptare është i prirë më tepër të mbulojë sesa të zbulojë. Kjo është arsyeja përse shpjegimet për refuzimin që iu bë Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, pikërisht atëherë kur dukej se ishim më pranë tij se kurrë më parë, duhen kërkuar në raportet e saj me vendet e BE dhe SHBA-të. Ndërsa përgjegjësia për refuzimin e statusit më tepër në anën shqiptare të këtyre marrëdhënieve./Burimi: panorama.com.al/