Festat, Rama me fëmijët e policëve: Siguracion shëndetësor për forcat speciale

Dhe pse situata ekonomike në vend nuk premton shumë, kryeministri Edi Rama ka garantuar familjet e policëve të rënë në krye të detyrës, se qeveria e tij do të jetë gjithmonë në mbështetje të tyre. Ndërsa mori pjesë në një aktivitet të organizuar me fëmijët e policëve të vrarë në detyrë, në kuadër të festave të fundvitit , Rama tha se këto familje janë një amanet për shtetin, që do nderohet në nivelin më të lartë.“Uroj që viti 2014 të jetë për ju një vit ëndrrash dhe shpresash të mundshme, për fëmijët të jetë një vit gëzimi dhe për familjen tuaj një vit paqeje dhe qetësie duke ju garantuar se ne do bëjmë gjithçka që na takon për të bërë më të mirën që asnjë nga fëmijët e dëshmorëve të policisë të mos ndihet asnjëherë vetëm. Unë dua sinqerisht t’ju uroj dhe t’ju garantoj që me gjithë vështirësitë, kushtet që nuk na lejojnë gjithnjë të bëjmë gjithçka që do donim të bënim ne do bëjmë të pamundurën për ju.Besoj që ne arritëm që jo vetëm me fjalë, por dhe me vepra të japim këtë mesazh të qartë dhe të fortë të gjithë punonjësve të policisë së shtetit dhe këtë mesazh do ta përforcojmë vijimësisht me mbështetjen financiare dhe morale për të cilën policia ka nevojë më shumë se për çdo gjë tjetër. Jemi të angazhuar që asnjëra prej nënave të këtyre fëmijëve të mos ndihet vetëm, e pafuqishme. Dera jonë do jetë gjithmonë e hapur dhe përpjekja jonë për t’iu përgjigjur pozitivisht çdo kërkese nuk do të mungojë asnjëherë, ashtu siç nuk do mungojë dhe vëmendja ndaj këtyre fëmijëve për të vazhduar të jetojnë me rrugën e ndershme të prindërve të tyre të vrarë në krye të detyrës. Këta fëmijë duhet të ndihen krenarë për prindërit e tyre dhe të sigurt pasi nuk do të mungojë kujdesi, solidariteti dhe përkujdesja e shtetit përmes MB dhe gjithë strukturave që janë të vetëdijshme se ky është një amanet që do ta nderojmë në nivelin më të lartë” tha ai.Kryeministri njoftoi gjithashtu një vendim të qeverisë ku forcave speciale të Policisë së Shtetit u garantohej një trajtim i posacëm shëndetësor në rast nevoje dhe shpenzimet i kalonin shtetit.“Ata që janë angazhuar në forcat speciale dhe operacionale, sot firmosëm një vendim qeverie, duke i hapur rrugë trajtimit special për cilindo prej tyre që do të ketë nevojë për kujdes shëndetësor dhe duke garantuar që për cdo vizitë shteti do të pagujë një sigurim të posacëm shëndetësor për të garantuar kujdesin më të madh për ta”u shpreh Rama.Të pranishëm në ceremoni, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Artan Didi vlerësuan se është detyrim i drejtuesve të policisë që të gjenden pranë familjeve të efektivëve të rënë në krye të detyrës.Për dy ditë me radhë Ministria e Punëve të Brendshme organizoi në mjediset e Shtëpisë së Pushimit të MPB-së në Durrës, një seri aktivitetesh festive për fëmijët e policëve të rënë në detyrë. Më pas, festa vijoi me shpërndarjen e dhuratave të mezipritura nga fëmijët, kontribut i punonjësve të Policisë së Shtetit nga i gjithë vendi, si dhe i donatorëve të ndryshëm.