GFI: Në 10 vite, Shqipëria nxori jashtë vendit 1 mld $

Shqipëria ka humbur rreth 1 miliard dollarë përgjatë 10 vjeçarit të fundit, 2 deri 3 për qind e PBB-së. Të dhënat dalin nga raporti i Organizatës jo-fitimprurëse “Global Financial Integrity” me bazë në Uashington rreth largimit të paligjshëm të kapitalit nga vendet në zhvillim, i cili analizon të dhëna për 187 vende të botës. Ekonomisti Brian LeBlanc, një nga hartuesit e raportit, në një intervistë për VOA shprehet se një shifër e tillë është dukshëm më e ulët se mesatarja e vendeve të tjera evropiane në zhvillim, prej rreth 5 për qind, por kjo nuk do të thotë se problemi nuk ekziston në Shqipëri.“Shqipëria ka humbur rreth 1 miliard dollarë gjatë dekadës së kaluar. Kjo rreth 2 deri 3 për qind e PBB-së. Shifër është dukshëm më e ulët se mesatarja e vendeve të tjera evropiane në zhvillim, prej rreth 5 për qind. Shqipëria është më mirë se Serbia për shembull, ku daljet kanë qënë rreth 20 miliard dollarë gjatë dekadës së kaluar. Kjo nuk do të thotë se problemi nuk ekziston në Shqipëri. Po ashtu Shqipëria ka të veçantat e saj dhe Serbia të vetat. Nga ana tjetër ne e kemi bërë të qartë se studimi im nuk mund të verifikojë dot gjithë aktivitetet që kryhen me para në dorë, ose pagesat që bëhen në këtë formë. Pra, ne nuk jemi në gjendje për të përcaktuar saktësisht se sa ndikon ky lloj aktiviteti në Shqipëri, që mund të jetë jo i vogël”.Po cilat janë aktivitetet kryesore financiare që luajnë rol në daljen e paligjshme të kapitalit në Shqipëri?“Shohim se në Shqipëri, shumica kryhet nëpëmjet një procesi të quajtur mbifaturimi i importeve. Në thelb, importuesit në Shqipëri shënojnë shifra më të larta për importet aktuale, një mënyrë për të justifikuar ligjërisht pagesat jashtë Shqipërisë. Kjo gjithashtu rrit vlerën e prodhimit. Kështu që, këto korporata kanë një përfitim të dyanshëm: 1) munden të lëvizin kapital jashtë Shqipërisë në vende ku nuk do të taksohet, dhe 2) rrisin çmimin e mallrave të tyre, për të cilin paguajnë konsumatorët, njerëzit e zakonshëm shqiptarë që blejnë këto importe” thotë Brian LeBlanc.Sipas LeBlanc, largimet e paligjshme financiare janë largimet e parregjistruara të kapitalit nga vendet e zhvilluara apo në zhvillim, që është ose i paligjshëm në mënyrën se si fitohet, ose në mënyrën se si transferohet. Kjo përfshin nxjerrje jashtë vendit të kapitalit të siguruar nga një aktivitet tregtare, por që transferohet në mënyrë të paligjshme, nëpërmjet transfertave bankare të paregjistruara, apo pagesave të paregjistruara tregtare, ose nëpërmjet korrupsionit dhe veprimtarive të paligjshme si trafikimi i drogës, apo trafikimi i qenieve njerëzore.Ekonomisti thekson se ka një shumëllojshmëri mënyrash që përdoren për nxjerrjen e kapitalit jashtë, ku 80% e daljeve të paligjshme financiare janë të lidhura me tregtinë.“Është aq e shumëllojshme sa mund ta shpikë një mendje kriminale. Ne mendojmë se përafërsisht 80% e të gjitha daljeve të paligjshme financiare janë të lidhura me tregtinë. Dhe këto përfshijnë lëvizjen e kapitalit nga vende me taksa të larta në vende me taksa të ulëta, si një mënyrë për të shmangur taksimin”.