Festat e fundvitit, çifti presidencial Nishani dhurata për fëmijët jetimë
Me rastin e festave të fundvitit, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dhe Zonja e Parë, Odeta Nishani pritën fëmijët jetimë të Shoqatës “E ardhmja jonë”.“Pavarësisht vështirësive që na sjell jeta, ne jemi të fortë, do të përballim të gjitha vështirësitë, ne do ta ndihmojmë shumë njëri-tjetrin dhe do të mundohemi që gjithsecilin ta bëjmë sa më të lumtur që të jetë e mundur. Unë dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për të gjithë ata që kujdesen për ju, sepse ata që kujdesen posaçërisht për ju, bëjnë një punë shumë të madhe, kanë një mision shumë të rëndësishëm dhe ata meritojnë dhe falënderimet tuaja edhe respektin tuaj, por mbi të gjitha meritojnë mirënjohjen e të gjitha institucioneve të shtetit në radhë të parë. Jam shumë i kënaqur që sot jemi së bashku në këto ditë festash, – u shpreh Presidenti Nishani në fjalën e tij para fëmijëve.Fëmijët i përshëndeti edhe Zonja e Parë, Odeta Nishani, e cila shprehu vlerësimin dhe mbështetjen për një sensibilizim më të madh të shoqërisë shqiptare për problemet e fëmijëve jetimë.Shoqata “E ardhmja jonë” i akordoi Presidentit të Republikës dhe Zonjës së Parë titullin “Vlerësim i vlerave humane” me motivacion “Për ndihmesën e vazhdueshme që keni dhënë në ndihmë, mbështetjen dhe integrimin e Fëmijëve dhe të Rinjve pa kujdes prindëror në vendin tonë”.Në një atmosferë festive, Presidenti së bashku me Zonjën e Parë shpërndanë dhuratat e përgatitura për fëmijët jetimë.Në këtë veprimtari morën pjesë edhe Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Nevila Xhindi dhe Presidenti i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka.