Mësimi i “bastioneve”

Kosova dha këto ditë një leksion të admirueshëm: zgjedhje të lira dhe të ndershme, prurje serioze të liderëve të rinj. Skena politike kosovare pas zgjedhjeve të fundit lokale ka marrë aktualisht një formatim tjetër. Ç’ka ndodhur konkretisht? Qendra të njohura rajonale, siç janë Ferizaj, Mitrovica Jugore, Gjilani, nuk do të drejtohen më nga pushteti i Partisë Demokratike të Kosovës si deri tani. Ky “fat” ka ndjekur dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës të Ramush Haradinajt, e cila do të përfaqësohet në nivel lokal vetëm me tri komuna. Lidhja Demokratike e Kosovës, me një përvojë tepër të gjatë, fitoi në shumicën e qyteteve dhe komunave, por humbi kryeqendrën e Kosovës, Prishtinën, që, sikurse është e njohur, e ka drejtuar qysh nga viti 2000, kryetar i së cilës ishte një figurë e njohur, Isa Mustafa, ndërkohë dhe kryetar i LDK-së.Surpriza, e cila vështirë se ishte parashikuar nga analistë të ndryshëm, ka të bëjë me marrjen e Prishtinës nga nënkryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Shpend Ahmeti, gjithashtu e vetmja fitore kjo për këtë Lëvizje.Pra, ç’ka ndodhur? Asgjë e jashtëzakonshme. Zgjedhësit, një ditë, sikurse ndodhi edhe në Kosovë, duke u ndërgjegjësuar më tej, dinë të të japin atë që meriton. Dhe ky ndërgjegjësim vjen, sikurse erdhi realisht, teksa dhe në këto zgjedhje kupa u pa e mbushur. Njerëzit u zhgënjyen nga qeverisja e deritanishme në këto zona, nga qëndrimi larg tyre, duke hedhur në gropën e harresës premtimet e bëra para marrjes së karriges. Ata nuk mund të pajtoheshin kurrsesi me fodullëkun e tyre, sikurse ndodhi dhe në këto komuna, me arrogancën e aq më keq, me rrugët misterioze të pasurimit të dikujt. Ishte, pra, ky, një reagim ndaj keqqeverisjes vendore.Zgjedhësit, në vend të fytyrave të vrerosura vunë fytyra të reja, me besimin se këta, sikurse i kanë njohur dhe zgjedhur vetë, do të jenë të përkushtuar, por dhe vizionarë, nuk do t’i ndajnë fjalët nga punët e përditshme – çka bëjnë për njerëzit dhe që nuk do të mbeten robër brenda kuadratit të partisë së vetë, por përfaqësues të të gjithëve. Dhe ky nuk është një mësim i vogël. “Bastionet” e tyre, siç i konsideronin ish-të zgjedhurit dhe krerët e ndryshëm partiakë, e dhanë verdiktin. Njerëzit e këtyre “bastioneve”, të lodhur nga fjalamanët, nga demagogët apo nga ata që me kohë fillojnë e bëhen qibarë para halleve, shqetësimeve të tyre, me të drejtë, me votë u shprehën prerë: mjaft më, zbrisni nga kali. Dhe i zbritën.Sikurse përmendëm, prurja e njerëzve të rinj përbën ngjarje të rëndësishme. Ardhja e tyre shihet si një ogur i mirë për Kosovën dhe banorët e saj, për forcimin e mëtejshëm të demokracisë. Njëri prej tyre, tridhjetepesëvjeçari Shpend Ahmeti, ish-student i Harvardit, i specializuar në Zhvillimin Politik dhe Ekonomik, sot në krye të Prishtinës, njihet për maturinë, njeri i moderuar. Ai ka ardhur te Vetëvendosja nga FER-i (Fryma e Re), partia që ka drejtuar më parë. Në këto zgjedhje, ai i solli Vetëvendosjes të vetmen fitore të saj, por edhe duke i dhënë shanse për të reflektuar në ato gabime që janë shfaqur në jetën politike të kësaj Lëvizje. Dhe për një reflektim serioz e angazhim më të madh kanë nevojë të gjitha grupimet politike në Kosovë.Një problem tjetër që tërhoqi vëmendjen në zgjedhjet e fundit në Kosovë, ishte dhe fitorja në komunat e banuara me popullsi serbe e Iniciativës Qytetare Serbe. Siç konstatohet dhe në këtë rast, radikalët e kësaj pakice kanë marrë zemër. Kjo mund të çojë në zgjimin e tensioneve në këtë zonë. Duket se ata e shohin si momentin më të volitshëm që, pavarësisht qëndrimit të Brukselit, t’i japin jetë e të legjitimojnë ëndrrën për një republikë të tyre, e shtrirë në këto komuna me shumicë serbe, ku kanë fituar njerëzit e tyre, të njohur si balli i tensioneve të deritanishme.Pavarësisht nga kjo, qeveria e Kosovës duhet të mendojë më mirë për integrimin e kësaj pakice, jo për ta lënë jashtë vëmendjes dhe qeverisjes së saj, por për të sfiduar çdo synim të tyre për një model alla “serpska republika”, apo me emrin “Asociacion i Komunave Serbe”, që njihet si varianti B i Beogradit./Burimi: panorama.com.al/