Arrestohet ish-truproja e Berishës, akuzohet për gjobëvënie 100 mijë euro

Policia e Tiranës ka vënë në pranga ish-gardistin Fatos Skeja, sëbashku me shtetasin Gojart Loci. Burime nga policia bëjnë me dije se arrestimi i Skejës është bërë pas vendimit të Gjykatës, e cila ka vëndosur masën arrest me burg për gjobënie. Ish-truproja i familjes Berisha, pjesë e “grupit të zjarrit” në ngjarjen e 21 janarit akuzohet se ka gjobitur me 100 milionë lekë biznesmenin shqiptaro-amerikan, Ramazan Hima.Ngjarja ka ndodhur ne muajin gusht te ketij viti, ku biznesmeni nga Kalaja e Dodës, pikërisht nga është me origjinë edhe Fatos Skeja, por me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka denoncuar se persona të paidentifikuar i kishin vënë gjobë 100 mijë euro. Ai ka deklaruar për policinë se prej vitesh jeton në SHBA, ku ka në pronësi tre hotele dhe që me anë të telefonit, e kishin kërcënuar me jetën e familjarëve të tij, duke i kërkuar 100 mijë euro.Madje, ai ka shpjeguar se autorët e kishin kërcënuar seriozisht me jetë, duke i lënë të kuptojë se ia njihnin mjaft mirë familjen, dhe e kanë urdhëruar të paguajë paratë dhe mos të njoftojë policinë. Në këto kushte, denoncuesi ka kërkuar ndihmën e policisë për identifikimin e autorëve të shantazhit që po kryhej ndaj tij.

 Skeja dhe Loçi po hetohen nga  Prokuroria e Krimeve të Rënda.