Honda te Milani deri në vitin 2017

Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka konfirmuar se Keisuke Honda ka nënshkruar një kontratë për tre vjet e gjysmë me klubin italian.Kalimi i mesfushorit japonez nga CSKA Moska në San Siro është finalizuar këtë javë, pasi atij i ka përfunduar kontrata me klubin rus.“Honda është një lojtar i shkëlqyer, i cili gjithmonë ka luajtur mirë deri më tani. Ai aktualisht gjendet në Japoni, por do të na bashkohet më 30 dhjetor. Ai ka nënshkruar kontratë për tre vjet e gjysmë, e cila do të skadojë në qershor të vitit 2017. Ai e ka kërkuar numrin 10 dhe ia kemi dhënë”, ka thënë Galliani para gazetarëve.Arritja e marrëveshjes me Hondan përmbyll një javë të mirë për Milanin që siguroi edhe pjesëmarrjen në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve.