8 vende të BE letër Ashton: Shqipëria meriton vendim pozitiv nesër
8 vende anëtare të Bashkimit Europian i kërkojnë Lituanisë si vend që mban Presidencën e radhës së BE si dhe Komisioneres së lartë për politikë të jashtme, Katherinë Ashton, që Shipërisë ti jepet statusi i vendit kandidat.Letra e firmosur nga Ministrat e Jashtëm të 8 vendeve të Unionit është dorëzuar një ditë para se Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian të marrë vendimin për dhënien apo jo të statusit të vendit kandidat për vendin tonë.Kryediplomatët e 8 shteteve, Italisë, Austrisë , Bullgarisë, Kroacisë, Estonisë, Hungarisë , Irlandës dhe Sllovenisë shprehen të bindur se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet e vendosura nga Bashkimi Europian.Letra vë në dukje se Shqipëria ka bërë hapa pozitivë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ka zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme referuar proçesit elektoral të 23 qershorit, hapa për të cilat ka marrë vlerësim edhe nga Komisioni Europian.Tetë vendet që dalin krah Shqipërisë i bëjnë apel Bashkimit Europian se dhënia e statusin kandidat për vendin tonë do të inkurajonte Tiranën zyrtare për të punuar më shumë e për të mbajtur lart ritmin e reformave, ndërsa do të dërgonte një sinjal pozitiv e të fortë për vendet e tjera kandidate potenciale që puna e madhe që po bëjnë në këtë drejtim do të shpërblehet.Në mbledhjen e së martës Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian do të marrë vendime të rëndësishme, ndërsa agjensi prestigjoze botërore të lajmeve nënvizojnë se edhe pse ka një përmirësim të klimës apo mendimit ndaj aspiratës së Shqipërisë, të gjitha gjasat janë se një vendim pozitiv për kandidaturën e vendit tonë do të merret në qershor të vitit që vjen. Veç Holandës që e ka deklaruar votën kundër, në dilemë për qëndrimin e tyre janë edhe Danimarka, Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe.