Shqipëria në krizë kreditimi, BSH detyrohet të ulë në 3 % normën bazë të interesit
Banka e Shqipërisë ul normën bazë të interesit për të dytin muaj radhazi ,duke arritur në nivelin më të ulët në histori. Në një mbledhje jashtë rendit ,Këshilli Mbikqyrës i BSH-së vendosi të ulë normën bazë të interesit për lekun me 0.25 pikë përqindje, duke e zbritur atë në nivelin 3 për qind. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, u shpreh se ulja e normës u bë për të stimuluar ekonominë, e cila është nën potencial. Kjo masë e Bankës së Shqipërisë synon që të rrisë kreditimin i cili vlerësohet më i ulti që prej 2008 dhe të rrisë konsumin.“Banka e Shqipërisë ul me 0.25 pikë përqindje normën bazë të interesit duke e zbritur në 3 %. Kjo është ulja e dytë, pas uljes së muajit të kaluar. Kërkesa agregate dhe rritja ekonomike parashikohet të mbeten nën potencial, po kështu operacionet inftacioniste, presionet e tyre nga tregu pritet të jenë në rënie. Lehtesimi i politikës monetare synon të mbështese kërkesën agregate nëpërmjet kushtetve të financimit. Ecuria e sektorit të jashtëm të ekonomisë tregon për dobësimin e kontributit të kërkesës së huaj në rritjen e kërkesës agregate. Po kështu, vihet re rënie e presioneve inflacioniste në ekonomi.Importet kanë rënë me 0.3 %. Kontributi i sektorit publik, i cili mbështeti rritjen ekonomike të kërkesës agregate në gjashtë muajt e parë të vitit, ka shënuar dobësim. shpenzimet buxhetore u rritën me 7.1%, krahasur me vitin e kaluar. Të ardhurat fiskale kane reflketuar dobësimin e aktiviteteve ekonomike. Po kështu, deficiti buxhetor ka filluar të rritet, deri në tetor ka qenë 2 herë më i lartë se një vit më parë. Duke u nisur nga shkalla e lartë e borxhit, paraqiten vështirësi dhe duhen marrë masa”, u shpreh Guvernatori Fullani.Guvernatori Fullani, ndër të tjera vuri theksin edhe në defiçitin buxhetor dhe borxhin publik që vijojnë të rriten. Kreu i Bankës Qendrore kërkoi që të merren masa urgjente.“Duhen masa për korretim fiskal. Konsumi dhe investimet private mbeten të dobëta, po kështu edhe besimi i ulët konsumator. Ka burime të kufizuara të investimit. Banka e Shqipërisë forcoi lehtësimin monetar. Sinjalet e politikës monetare janë përcjellëse të pjesës më të madhe të zhvillimeve. Normat e interesit në tregun ndërbankar dhe normat e interesit në depozita kanë ndjekur prirjen rënëse, duke ndjekur linjën e uljes së normës bazë të interesit. Është përkeqësuar ecuria e kredisë në ekonomi. Projeksionet tona bazë për të ardhmen mbeten të pandryshuara. Rritja ekonomike pritet të jetë pozitive, por nën kushtet e ekonomisë. Rritja ekonomike do përcaktohet në masë të madhe nga ecuria e konsumit dhe investimeve në vend. Banka e Shqipërisë do vazhdojë të ruajë politikën e saj lehtësuese” tha Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.Rritja ekonomike sipas Guvernatorit do përcaktohet në masë të madhe nga ecuria e konsumit dhe investimeve në vend. Ndërkohë që premtoi se Banka e Shqipërisë do vazhdojë të ruajë politikën e saj lehtësuese.