Buxheti i qeverisë rrënon vendin, PD: Do i tregojmë shqiptarëve gjithë të vërtetat
Partia Demokratike ka premtuar javë aksioni politik, për të denoncuar siç tha ajo projektbuxhetin dhe paketën fiskale të mashtrimit të mazhorancës së majtë. Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, teksa foli në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, tha se ky është kursi që garanton rrënimin e vendit dhe çuarjen e tij drejt reçesionit.“Kjo javë do jetë për PD do jenë ditët e një aksioni energjik për të zbërthyer me profesionalizmin më të lartë se ku do ta çojë vendin ky buxhet për të denoncuar demagogjinë, mashtrimet, arbitraritetin me taksat, për të paraqitur alternativat tona të zhvillimit. Kjo punë ka filluar, duke angazhuar ekspertët më të mirë të fushës. Kjo është e vetmja qeveri që nuk përcakton të sjellë asnjë lehtësi për kohën e krizës, e sheh sipërmarrjen jo si partnere, por si lopë për ta mjelë”tha Basha.Sipas Bashës një fakt i tillë ishte paralajmëruar me kohë nga PD, teksa kishte denoncuar vonesën e paraqitjes në Kuvend të projektbuxhëetit për 2014. Ndërsa dencoi mungesën e trasnparencës dhe konsultimeve me grupet e interesit, Basha tha se kjo është bërë qëllimisht nga Kryeministri Rama për të shmangur debatin dhe llogaridhënien.“Kjo paketë me një përkeqësim dramatik të gjithë treguesve përforcon bindjen tonë se arsyeja e vetme e vonesës së paraqitjes së projektbuxhetit ka qenë vendimi i Kryeministrit arbitrar për ta futur shqyrtimin në mungesë kohe për të shmangur debatin dhe llogaridhënien. Paketa vjen pa asnjë konsultim me grupet e interesit, se thotë vetëm opozita por dhe përfaqësuesit e biznesit. Kryeministri kërkon ta kalojë me shpejtësi këtë paketë fiskale për dy javë. Nuk habitemi, është e njëjta strategji që ka ndjekur me aktin normativ për nëpunësin civil, aktin normativ për borxhin me të cilin hodhi në erë stabilitetin ekonomik, të njëjtën gjë bëri për armët kimike për të cilin mori mësimin më të mirë.Futja e projektbuxhetit në mungesë kohe nuk është e keqja më e madhe me atë që ka brenda” u shpreh ai.Duke u ndalur në paketën fikskale dhe taksimin progresiv, Basha tha se kjo garanton varfërimin e 100% të shqiptarëve.“Nga ana tjetër është e vetmja qeveri që rrit shpenzimet për luksin e vet dhe borxhin në kohë krize. Ky është buxheti që varfëron të gjithë shqiptarët. Ky është buxheti i varfërimit, paralajmëron rrënimin e ekonomisë rënien drejt reçesionit, ëhstë buxheti i gënjeshtrave dhe premtimeve të pambajtura.Me këtë buxhet kthehet tradita e qeverisjeve të para 2005, shqiptarët do marrin borxh jo për shpenzimet publike. Kompensimi i të përndjekurve politike pothuajse është harruar fare. Do thellojmë shqyrtimin tonë për paketën fiskale.Është më e dobëta, më jo profesionalja. TVSH do hiqet mbi barnat duke na kthyer blerjen më të shtrenjtë të tyre” tha më tej kreu i PD.Fjala e plotë e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në mbledhjen e Grupit Parlamentar:Vetëm mbrëmë në darkë, në thyerje flagrante të ligjit dhe të çdo praktike të mirë, të stabilizuar prej vitesh, qeveria shpërndau projekt-buxhetin e vitit 2014 dhe paketën shoqëruese fiskale. Kjo paketë, ashtu siç po vjen në Kuvend, pa asnjë befasi për mirë, në raport me çfarë pritej e çfarë ishte paralajmëruar, përkundrazi me një përkeqësim dramatik të të gjithë treguesve, përforcon bindjen tonë të shprehur publikisht para qytetarëve shqiptarë se arsyeja e vetme e vonesës së projektbuxhetit ka qenë dhe është vendimi i kryeministrit arbitrar për ta futur procesin e shqyrtimit të tij në mungesë kohe, me qëllim shmangien e plotë të konsultimit me grupet e interesit, për të shmangur maksimalisht debatin në Kuvend dhe llogaridhënien para qytetarëve.Në fakt, paketa fiskale dhe buxhetore 2014 vjen në Kuvend pa asnjë konsultim paraprak të qeverisë me grupet e interesit. Këtë nuk e thotë vetëm opozita por edhe vetë grupet e revoltuara të interesit, dhomat e tregtisë, ato shqiptare e të huaja, deklaratat e të cilave janë tashmë publike.Kryeministri kërkon që në më pak se dy javë dhe në kohën e festave të fund vitit të kalojë me shpejtësi, pa konsultime, pa transparencë, pa oponence, këtë pakete fiskale e buxhetore që, në këndvështrimin tonë dhe të shumicës së shqiptarëve, përfaqëson hapin fatal të kalimit të Shqipërisë nga stabiliteti në varfëri, nga qëndrueshmëria ekonomike në krize, nga drejtësia sociale në padrejtësi.Nuk habitemi. Është e njëjta teknikë që ka ndjekur me aktin normativ për Nëpunësin Civil, të cilin ia ka rrëzuar Gjykata Kushtetuese; të njëjtën gjë bëri para 3 javësh me aktin tjetër normativ për rritjen drastike të borxhit dhe uljen po aq drastike të planit të të ardhurave, me të cilin hodhi në erë stabilitetin ekonomik të vendit dhe çeli periudhën e negativitetit, sipas vlerësimit botërisht të njohur të “S&P”; të njëjtën gjë bëri me armët kimike, për të cilën mori mësimin më shembullor nga rinia dhe qytetarët e lirë shqiptarë dhe përfundoi një kryeministër i vetëplasaritur, mësim që nuk po e fut dot në mendje, tamam si ai nxënësi i paaftë e problematik, që bëhet edhe më kokëfortë, se është i paftë.Futja e projektbuxhetit në mungesë kohe për arsyet e lartpërmendura, edhe pse i dënueshëm si akt dhe i paligjshëm, nuk është gjithsesi e keqja më e madhe në krahasim me çfarë ka brenda.Kjo javë dhe gjithë periudha deri në miratimin e projektbuxhetit do të jenë për Partinë Demokratike dhe grupin tonë parlamentar ditët e një aksioni politik energjik dhe shumëplanësh, për të zbërthyer e demostruar me profesionalizmin më të lartë dhe me përgjegjësinë më të madhe se ku do ta çojë vendin ky buxhet, për të nxjerrë zhveshur në sytë e shqiptarëve të vërtetat drithëruese të tij, për të nxjerrë në pah me argumente, zgjidhjet e gabuara e të rrezikshme të qeverisë, për të denoncuar me fakte konkrete demagogjinë, mashtrimet, padrejtësitë dhe arbitraritetin me taksat, për të përfshirë në konsultime të domosdoshme gjithë grupet e interesit që duhej të ishin konsultuar nga qeveria, për të paraqitur ne si opozitë, me përvojën dhe vizionin tonë disa nga alternativa tona të zhvillimit për vitin buxhetor 2014.Kjo punë ka nisur pa humbur asnjë minutë, duke angazhuar ekspertët më të mirë të fushës, dhe do ta thellojmë në vijimësi.Me shqetësim të madhe kemi konstatuar se• - kjo është qeveria e vetme në Europës që nuk planifikon të sjellë asnjë lehtësim dhe asnjë nxitës zhvillimi në kohë krize, ndaj sipërmarrjes së lirë, si motorri i zhvillimit të ekonomisë, i punës dhe punësimit të njerëzve.• - kjo është qeveria që e sheh sipërmërrjen jo si partnere, por si një lopë për ta mjelur.• - kjo është qeveria e vetme në Europë që rrit taksat në përgjithësi dhe ato të zhvillimit e konsumit në veçanti, në kohë krize, duke shkuar në një drejtim krejtësisht e diametralisht të kundërt me politikat që ndjekin kursin e mëkëmbjes dhe shëndoshjes së ekonomive.• - nga ana tjetër, kjo është e vetmja qeveri që rrit shpenzimet për luksin e vet dhe borxhin në kohë krize dhe fshin nga faqja e dheut investimet publike.• - ky është buxheti që i varfëron të gjithë shqiptarët, përfshirë ata të cilëve në mënyrë shumë cinike ky buxhet u jep me lugë kafeje në formën e taksimit progresiv të pagës atë që ua merr me lugë të madhe e madje me garuzhde mund të themi, nëpërmjet rritjes dramatike të taksave të tjera të konsumit, mosindeksimit të inflacionit, e instrumentave të tjerë.• - ky është buxheti i varfërimit, i krijimit dhe shpërndarjes së varfërisë,• - ky është buxheti që paralajmëron dhe garanton rrënimin e ekonomisë shqiptare, rënien e saj në pikiatë drejt në pellgun e recesionit, me gjithë pasojat që sjell ky kundërzhvillim dramatik për çdo shqiptar.• Ky është buxheti i gënjeshtrave dhe premtimeve të pambajtura për; pronarët, të përndjekurit politikë, shëndetësinë falas, uljen e çmimeve, rritjen e pensioneve, e shumë premtimeve të tjera të pambajtura të tullumbaces së plasur.• Me këtë buxhet rikthehet tradita e qeverisjeve të para vitit 2005 ku deficiti buxhetor ishte, dhe me këtë buxhet sërish është, më i madh se investimet kapitale publike. Kjo do të thotë që shqiptarët do të marrin borxh rreth 300 milionë dollarë, jo për investime publike, por për paga, karburant e shpenzime zyrash për ministritë, autovetura, për ministrat etj.• Ky buxhet lë jashtë dhe nuk adreson reforma të rëndësishme të vendit si ato të pensioneve, shëndetësisë, arsimit, etj. Shembulli më i qartë është se deficitet e skemës së pensioneve dhe të Sigurimeve Shëndetësore njohin thellim në vend të përmirësimit që pritej.• Kompensimi i të Përndjekurve Politike pothuaj është harruar fare.• Kompensimi i pronarëve është lënë vetëm me 300 milionë lekë, ndërkohë që buxhetohet edhe 1.2 miliardë lekë si e ardhur nga ALUIZNI i cili është premtuar të legalizojë falas?!Me shumë shqetësim kemi nisur e do të thellojmë shqyrtimin tonë për paketën fiskale që shoqëron buxhetin. Kemi vërejtur se:• kjo është paketa fiskale më e dobët, më joprofesionale dhe me efektet më shkatërrimtare në ekonominë individuale dhe atë kombëtare që vendi ka parë ndonjëherë.• TVSH, do të hiqet mbi barnat duke na kthyer në situatën kur ato tregtoheshin në Shqipëri me çmime rreth 3-6 herë më të larta se në vendet e origjinës. Shqiptarëve do t’u duhet të paguajnë rreth 70 milionë dollarë më shumë për ilaçet e shtrenjtuara.• Po kështu rreth 70 milionë dollarë më shumë do t’u duhet të paguajnë operatorëve të huaj që operojnë në industrinë e naftës dhe që punësojnë dhjetëra mijëra shqiptarë si rezultat i thyerjes së premtimit dhe heqjes së përjashtimeve për të gjitha importet e tyre, përjashtime që i kishin nderuar të gjitha qeveritë e mëparshme shqiptare. Natyrisht që në fund çmimin do ta paguajnë të punësuarit e kësaj industrie.• Tatimi mbi biznesin e vogël gjasme shfuqizohet por biznesit të vogël do t’u duhet të paguajnë tatimin mbi të ardhurat dhe po të llogarisim këtu edhe çmimet e rritura të karburantit me rreth 100 lekë për litër, dyfishimin e tatimit të pasurisë për shtëpitë (nga 15 në 30 lek/m2) dhe dyqanet e tyre (nga 200 ne 400 lek/m2), rritjen e pagës mbi të cilën llogariten kontributet shoqërore e shëndetësore për ta, del qartë se kjo lëvizje nuk është bërë për të lehtësuar biznesin e vogël sepse vetëm kjo nuk ndodh, por për t’u marrë komunave dhe bashkive të vetmin burim të ardhurash që mund të administronin vetë.• Taksa kombëtare më e rëndë dhe që do të rëndojë xhepin e çdo shqiptari pa përjashtim është ajo mbi qarkullimin e cila do të rritet nga 7 në 17 lek/lt, duke i marrë çdo shqiptari nga xhepi direkt një shumë e barabartë në nivel kombëtar me 70 milionë dollarë si çmim më i shtrenjtë i karburantit, ose rreth 200-400 milionë dollarë më shumë si çmime të shtrenjtuara të biletave të transportit të pasagjerëve apo edhe mallrave që transportin e kanë pjesë të çmimeve finale të tyre. Goditje të rëndë marrin edhe rreth 200.000 shqiptarë të cilët kanë nga një shtëpi të dytë të cilëve do t’u duhet të paguajnë si tatim pasurie 400 lek/m2 nga rreth 11,5-19,5lek/m2 që paguajnë për shtëpinë e parë.• Akcizat rriten për pothuaj të gjitha mallrat e akcizueshëm por impaktin më të rëndë ato do ta japin mbi rreth 1 milionë konsumues të produkteve të duhanit të cilët do të duhet të paguajnë rreth 50 milionë dollarë në vit më shumë për shkak të rritjes së akcizës nga 70 në 90 lekë për paketë. Dhe rritja programohet të vazhdojë edhe në tre vitet e ardhshme.• Sigurimi shëndetësor do të bëhet me miratimin e kësaj pakete shumë më i shtrenjtë për të gjithë shqiptarët pasi hiqet kufiri i sipërm i pagave mbi të cilat paguhej kontributi duke bërë që heqja e tavanit të rëndojë xhepat e shqiptarëve për rreth 18 milionë dollarë më shumë. Ata që vërtet besuan për shëndetësi falas për të gjithë kanë në dorë jo vetëm provën e mashtrimit por edhe faturën e mashtrimit.• Tatimi mbi të ardhurat përbën edhe rrënimin më flagrant të sistemit të taksimit të të ardhurave dhe të sistemit të administrimit tatimor të arritur me mund e sakrifica në këto 20 vite .Me këtë paketë nuk përfitojnë 97% e shqiptarëve por penalizohen, ndëshkohen 100% e shqiptarëve. Me këtë projekt çdo shqiptar dhe të gjithë shqiptarët do të paguajnë më shumë.E së fundi, kjo paketë fiskale e buxhetore është qartazi kundër zhvillimit. Këtë kushdo e ka të qartë e kjo nuk ka shumë nevojë për sqarim. Kushdo e kupton se tatim fitimi 15% pengon investimet, pra rritjen ekonomike dhe punësimin. Jo vetëm që nuk do krijohen vende të reja pune, por do të shkatërrohen, pra do të humbasin me mijëra vende pune ekzistuese. Kushdo e kupton se borxhi publik në afro 75% do të jetë rrënues për ekonominë e sotme dhe të nesërme, për brezin e sotëm dhe të nesërm.Partia Demokratike është e përgatitur për betejën ballore me qeverinë Rama-Meta për paketën fiskale e buxhetore.Ne do të bëjmë betejën tonë parlamentare, për të treguar gjithë rrezikshmërinë e kësaj pakete, si për njerëzit ashtu edhe për sipërmarrjen dhe ekonominë.Por ne do të bëjmë të mundur po kështu atë që qeveria nuk deshi e nuk do që ta bëjë, të drejtën e grupeve të interesit të thonë fjalën e tyre. Të drejtën që qytetarët të dëgjohen dhe të shprehin mendimet e tyre.Ndaj:• Do të denoncojmë procesin anti-ligjor, të errët dhe të mbyllur të qeverisë lidhur me këto dy paketa të rëndësishme.• Do insistojmë dhe do të bëjmë të mundur me çdo kusht që grupet e interesit të dëgjohen në seancat e punës së komisioneve parlamentare.• Duke nisur që nga dita e nesërme, PD do të organizojë seanca dëgjimore me grupet e interesit në mënyrë që shqetësimet dhe propozimet e tyre të jetë të hapura, transparente dhe të përcillen ne Kuvend nga opozita demokrate.Ne do të paraqesim po kështu edhe propozimet tona që në bindjen tonë mund të evitojnë recesionin që i serviret nga ky projektbuxhet i qeverisë, këtë moment dhe monument të amatorizmit dhe paaftësisë së kryeministrit të saj. Paaftësi dhe boshllëk që ai përpiqet ta mbushë me arbitraritet dhe paligjshmëri, e përballë kësaj duhet dhe do të vendosim forcën e plotë të opozitës, fuqinë e njerëzve të lirë që janë e reja dhe e ardhmja në këtë vend.