Buxheti 2014 votohet me 28 dhjetor, PD: Buxhet klandestin; PS: Faturë e Berishës
Me 74 vota pro, 48 kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancën e sotme parlamentare kalendarin e shqyrtimit në komisionet e përhershme dhe në seancë plenare të projektbuxhetit të vitit 2014 dhe të projektligjeve financiare të lidhura me të.Kuvendi caktoi datën 28 dhjetor për votimin e buxhetit, duke e shtyrë me një ditë, pas propozimit të kryetarit të Komisionit për Ekonominë dhe Financat, Erjon Braçe.Shumica hodhi poshtë 5 amendamente të Partisë Demokratike, që kërkonin shtyrjen e afateve, diskutimin në komisionet e përhershme parlamentare apo edhe me grupet e interesit. Opozita kerkoi qe buxheti te votohet me 13 janar 2014.Që në nisje të seancës deputetja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka akuzuar kreun e Kuvendit, Ilir Meta se, të gjitha procedurat e kuvendit janë kundër rregullores. Sipas saj, është duke u vepruar në mënyrë për të fshehur draftin e buxhetit.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kreut të Kuvendit, Ilir Meta. Ky i fundit tha se, është zbatuar vetëm rregullorja dhe veprimet në lidhje me diskutimin e buxhetit të vitit 2014, janë bërë konform të gjitha rregullave të rregullores së Kuvendit.
“Nuk kemi asnjë shkelje të Rregullores së Kuvendit, po të kemi parasysh që diskutohet për projekt-ligjet financiare të vendit”.Ndërkaq ish-kryeministri, Sali Berisha, ndërsa e cilësoi buxhetin vitit 2014 klandestin, kërkoi që ti jepet edhe dy ditë kohë, me qëllim që buxheti të konsultohet me qytetarët.
“Ky është një buxhet klandestin. I hartuar dhe i formuluar pa asnjë konsultë me qytetarët. U përdor si argument se u vonua nga negociatat me FMN-së. A mund të bëj një pyetje, si ka mundësi që me FMN të merrni dy muaj, dhe me qytetarët e këtij vendi as dy ditë. Kjo që ndodh të kujton, ligjet me procedurë të shpejtë. Ky është buxhet, janë të gjithë të ardhurat dhe shpenzime te një viti. Është buxheti i dytë i çdo qytetari shqiptar. Nuk mund të trajtohet në një mënyrë të tillë, nuk ka ndodhur kurrë kështu. Mundësisht të japim kohën për konsultën me qytetarët. Ministra të këtij kabineti, janë shndërruar në megafonë mashtrimesh të paimagjinueshme”- tha Berisha.Më shumë kohë për diskutimet e projekt-ligjeve, me grupet e interesit dhe me qytetarët ka kërkuar edhe Edi Paloka në emër të grupit parlamentar të PD. Sipas kreu i grupit parlamentar të demokratëve ardhja me vonese e buxhetit në Kuvend, bëhet me qëllim që shqiptarët të mos marrin vesh se çdo të bëhet me paratë e tyre.
“Çdo gjë që ndodh është në shkelje të plotë të ligjit, të procedurave parlamentare, dhe në mungesë të transparencës, siç është tashmë tipar i kësaj maxhorance. Duke vonuar dërgimin e projekt-buxhetit në parlament, ka shkelur ligjin për menaxhimin e fondeve e publike. Brenda datës 1 nëntor duhet ta kishte dërguar në parlament. 1 muaj e gjysëm në shkelje të ligjit. Qeveria kishte takim me FMN-së, prandaj është shkelur ligji. Nuk ka shqiptar naiv që të besojë se takimit me këtë apo atë, janë argumenta për të shkelur ligjin. Qëllimi është që shqiptarët të mos e marrin vesh çdo bëhet me paratë e tyre, të mos arrijnë të kuptojnë se çfarë gjëmë dhe bombe u ka përgatitur Rama”- tha Paloka.Paloka tha se me taksën progresive të qeverisë Rama-Meta të gjithë shqiptarët pa përjashtim do të paguajnë më shumë dhe do të behen më të varfër.“Të gjithë do na duhet të paguajmë të paktën dyfishin për shtëpitë ku jetojmë. Edhe kur kemi tonat edhe kur jemi me qera. Të gjithë do të paguajnë pa përjashtim me shumë naftën dhe një serë mallrash të tjerë konsumi, që kjo qeveri me këtë paketë fiskale rrit taksat. Shqiptarët të mos marrin vesh që vendet e tyre janë të rrezikuara, sepse do jenë bizneset që do të paguajnë më shumë taksa, dhe do mbyllen vende pune”- theksoi ai.Ndërkaq kryetari i grupit të socialistëve, Gramoz Ruçi, ndërsa justifikoi para kolegëve të tij vonesën e buxhetit, shprehu gadishmërinë për të shtyrë dhe me 48 orë miratimin e buxhetit me kushtin që të miratohet brenda kalendarit, duke përcaktuar si kufi maksimal 31 dhjetorin.
“Është i drejtë pretendimi i opozitës që sivjet buxheti është i vonuar, por opozita e sotme nuk ka të drejtë në anën tjetër për arsyet objektive të vonesës dhe paraqitjes së buxhetit të 2014. Mos bëni sikur nuk e dini situatën ekonomike, nuk e sollëm ne, por e gjetëm midis jush. Krizës, situatën ekonomike, borxhet, rrogat e padhëna të paraplegjikë etj. Ka qenë kjo situatë dhe përgjegjësia politike e qeverisë së re, që të gjejë rrugët e zgjidhjes. Më e rëndësishme është kjo se sa disa data, më shpejt apo më vonë. E përzutë FMN në 1996 dhe dihet se ca ndodhi në Shqipëri. E përzutë në vitin 2007 dhe ja fundi. Ne e thirrëm pasi këto që themi nuk janë tona, nuk i themi ne, por një organizëm ndërkombëtar. Ja ku jemi, në një buxhet.Të diskutojmë natë e ditë që të votojmë buxhetin tonë. Jemi të hapur të dëgjojmë çdo lloj propozimi tuaj. Por jo të kundërshtoni me amendimet tuaja, që të hamë gjelin e Vitit të Ri, e më pas të diskutojmë. Jemi gati të shtojmë edhe 48 orë por buxheti të miratohet brenda kalendarit, që kufiri maksimal është dala 31 dhjetor”, tha kreu i grupit parlamentar të PS-së.