Lezhë, nënshkruhet pakti territorial i punësimit, mbështetje për punësimin e të rinjve

Blegtoria, bujqësia dhe sektori i turizmit do të jenë një mundësi për punësimin e të rinjve në qarkun e Lezhës. Kjo mundësi është arritur pas nënshkrimit të paktit territorial të punësimit si pjesë e një projekti që është hartuar nga qarku i Lezhës me Bordin Rajonal të Punësimit dhe aktorë të ndryshëm shtetëror dhe privat. Për kreun e qarkut të Lezhës, Pashk Gjoni, kjo marrëveshje do të ketë impakt në uljen e numrit të të papunëve, por që do të jetë mbështetje për të rinjtë.Kjo iniciativë e cila do të ketë edhe mbështetje financiare për përfituesit, sipas ekspertit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, Francesko Panzica, tenton të fusë një frymë të re për çështjet në nivel lokal.Në bazë të Paktit Territorial të Punësimit, rritja e gjelave të detit dhe zhvillimit të këtyre ndërmarrjeve, kultivimi dhe industria e përpunimit të domates, vetë-punësimi në bujqësi, kultivimi dhe grumbullimi i bimëve mjekësore e aromatike si dhe profesionet e kamariereve, menaxherëve, reçepsionistëve e banakierëve për sektorin e turizmit do të mbështeten me trajnime dhe subvencione, por duke përfshirë gjithnjë të rinjtë.