BB ndihmon Shqipërinë për burimet ujore dhe ujitjen

Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore ka miratuar sot një projekt të ri për ta ndihmuar Shqipërinë që të përmirësojë administrimin e burimeve ujore dhe të ujitjes. Huaja prej 31 milionë euro e Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim dhe një granti nga Qeveria e Suedisë, prej 3,88 milionë euro, kanë për synim vendosjen e kuadrit strategjik për të menaxhuar burimet ujore në nivel kombëtar dhe në zonat ujëmbledhëse të Drinit - Bunës dhe të Semanit si dhe të përmirësojnë në mënyrë të qëndrueshme performancën e sistemeve të ujitjes në zonën e projektit. Nga ky projekt pritet të përfitojnë drejtpërdrejt mbi 80.000 fermerë, duke përfshirë edhe mbi 5.000 gra.Ky projekt i ri do ta përmirësojë administrimin e burimeve ujore dhe të ujitjes përmes  rehabilitimit dhe modernizimit të digave dhe sistemeve të përzgjedhura të ujitjes;  përmirësimit të performancës së organizatave që ofrojnë shërbimet e ujitjes dhe të kullimit, duke përfshirë edhe rekrutimin e subjekteve private në skemat pilote të ujitjes;  përgatitjes së Strategjisë Kombëtare për Administrimin e Integruar të Burimeve Ujore dhe përgatitjes së planeve të administrimit të zonave ujëmbledhëse të Drin-Bunës dhe Semanit, dhe  ngritjes së bazës kombëtare të të dhënave për burimet ujore ku pjesa e fundit do të financohet përmes grantit suedez."Projekti i ri synon të hedhë themelet për një administrim më racional dhe llogaridhënës të burimeve ujore, dhe për të përmirësuar performancën dhe rentabilitetin financiar të ujitjes dhe kullimit," ka theksuar IJsbrand H. de Jong, Drejtues i Ekipit të Projektit. "Kjo do ta ndihmojë Shqipërinë të përmbushë kërkesat që lidhen me anëtarësimin në BE dhe të eliminojë disa prej pengesave të rritjes. Kjo është gjithashtu urgjente, duke qenë se ndryshimet klimatike do të kërkojnë një drejtim të fuqishëm sektorial për të siguruar një shpërndarje racionale të burimeve të kufizuara ujore dhe për të pakësuar përmbytjet, sepse siguria e digave rrezikon ta pengojë qëndrueshmërinë në kohë të sektorit të ujitjes" shtoi ai.Në të shkuarën, Banka ka financuar tre projekte investimesh në ujitje në Shqipëri. Këto projekte kanë siguruar investime për rehabilitimin e skemave të ujitjes, i kanë forcuar kapacitetet dhe kanë zbatuar reforma institucionale.Shqipëria u anëtarësua në Bankën Botërore në vitin 1991. Prej atëherë, janë mbështetur nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) dhe Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) 72 projekte, me një vlerë 1,2 miliard USD gjithsej, si edhe 49 projekte nga Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC), me një vlerë 225 milion USD gjithsej. Tani në Shqipëri ka 8 projekte aktive në sektorin social, shëndetësi, arsim, burime natyrore, ujësjellës-kanalizime dhe energjetikë, infrastrukturë komunale dhe administrimin e sektorin publik, të cilët po e ndihmojnë Shqipërinë të arrijë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social dhe të hapë rrugën drejt integrimit europian.