Çelet Festivali i verës, Ruli: Synohet të prodhohet verë cilësore

I kthyer tashmë në traditën e fundvitit, është çelur në Tiranë Festivali i Verës. 28 kantina vere jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Kosova janë venë në garë për te ekspozuar verën më cilësore, duke i vënë në vështirësi zgjedhje adhuruesit e kësaj shije të veçantë.Festivali organizohet nga Ministria e Bujqësisë, e ministri Genc Ruli në fjalën e hapjes tha se përmes tij synohet prodhimi i një vere cilësore që nxirret nga varietetet e rrushit shqiptar, çka e bën atë terësisht të identifikueshme nga verërat e tjera.“Vera është një ndër simbolet përfaqësuese të kombeve që prodhojnë verë, jemi krenarë edhe për verën. Shqipëria është një vend mesdhetar i brezit të artë gjeonatyror të kultivimit të verës, është toka, dielli dhe uji dhe vreshti, ky kuartet nuk i ka munguar Shqipërisë për të qenë prodhues i verës së mirë”- tha Ruli.Ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, theksoi se ky festival vere po kthehet në një traditë të kryeqytetit, sikundër shprehu besimin për shtrirjen e saj anembanë qytetit."Është një kënaqësi e veçantë, pasi kjo jo vetëm pasuron shumëllojshmërinë e aktiviteteve, të cilat kryeqyteti u ofron jo vetëm qytetarëve të vet por qytetarëve nga gjithë Shqipëria, por po kështu fillon të konsolidojë një traditë, të cilën ne duam të shihet e përsëritur, jo vetëm tek pedonalja "Murat Toptani" por anembanë qytetit të Tiranës. Ne duam që mundësia për të shijuar, provuar dhe blerë verë shqiptare, të kthehet në një ritual të përvitshëm për qytetarët e Tiranës" tha ai.Në çeljen e festivalit u dhane dhe çmimet për verën më të mirë shqiptare në 3 varietet; e kuqe, e bardhë, e stazhionuar.