Gjosha në Danimarkë: Shqiptarët meritojnë dhe e ndjejnë veten pjesë të BE
Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha ndodhet për një vizitë pune në Danimarkë, vetëm pak ditë përpara marrjes së vendimit për statusin e Shqipërisë nga vendet anëtare të BE. Gjatë qëndrimit të saj janë planifikuar një sërë takimesh me përfaqësues të lartë të shtetit danez, ndërkohë që u mbyll me sukses i pari. Ministrja Gjosha u prit nga Ministri i Tregtisë dhe Çështjeve Evropiane të Mbretërisë së Danimarkës Nick Hækkerup.Ministrja falënderoi Hækkerup për mundësinë që Danimarka po i jep Shqipërisë për të dëshmuar mbi progresin që ka bërë, duke e falënderuar për këtë takim të dytë. Vetëm një muaj më parë Ministrja e Integrimit Evropian priti në MIE, Haekkerupp.“Shqipëria ka bërë progres real dhe kjo tashmë është e dukshme, por qeveria shqiptare është e vetëdijshme që ka ende shumë punë për të bërë dhe statusi do të ishte për ne një mbështetje shumë e madhe që të përshpejtojmë rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian”, tha Ministrja Gjosha.Edhe gjatë këtij takimi nga ministri danez u dhanë vlerësime mjaft pozitive. “Vlerësojmë progresin që ka bërë Shqipëria me një sërë reformash dhe ju mbështesim në rrugën drejt Bashkimin Evropian”,tha ministri Danez.