Reforma e re administrative, funksionimi i njësive në dobi të komunitetit
Drejtuesit vendor në Lezhë kanë diskutuar bashkarisht për prezantimin e ideve, mendimeve dhe konkluzioneve mbi reformën administrative që pritet të ndërmerret nga qeveria.Ne debatin e organizuar nga shoqata e komunave dhe bashkive, e cila është mbështetur nga OSCE, drejtuesit vendor në Lezhë kanë prezantuar mënyrat e efektshme se si mund të funksionojnë në të ardhmen njësitë e qeverisjes vendore, që në çdo rast duhet të shkojë në dobi dhe shërbim të komunitetit. Kreu i komunës Shënkoll, Fran Frroku, i cili është edhe përfaqësuesi i shoqatës së komunave dhe bashkive për qarkun e Lezhës, ka shprehur qëndrimin e tij se konkluzioni që do të arrihet duhet të jetë i unifikuar dhe i argumentuar, në mënyrë që të absorvohet si nga ligji ashtu edhe nga të gjitha institucionet.Sipas Frrokut, funksionimi i plotë i legjislacionit për njësitë e qeverisjes vendore është hallke kryesore për realizimin e këtij proçesi, që në fakt nuk ka lidhje me ndryshimin e madhësive të këtyre njësive.Moskryerja e disa funksioneve nga njësitë e qeverisjes vendore, duhet të jetë e prezantuar, është kërkuar gjatë takimit me të zgjedhurit lokal, që sipas tyre, ato mund të rregullohen me mekanizma të tjerë, të cilët ndërmerren nga qeveria.