Idrizi pret kryekomunarin e ri të Prishtinës: Patriotizmi modern, i nevojshëm në politikë
Kryetari i porsazgjedhur i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe drejtuesi i shtabit zgjedhor të Vetëvendosjes për Prishtinën, Dardan Sejdiu u pritën në zyrat e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet nga kryetari i kësaj partie Shpëtim Idrizi.Pasi i uroi mirëseardhjen dhe fitoren në zgjedhjet e fundit në Kosovë, Idrizi i shprehu Ahmetit suksese në detyrën e re dhe e përcolli këtë fitore si fitore të të gjithëve, që tregoi se patriotizmi modern është i nevojshëm në skenën politike shqiptare.“Ashtu si edhe në Shqipëri me çështjen e armëve kimike, edhe në Kosovë në këto zgjedhje u tregua se kemi një rini të maturuar, që na jep shpresë, një rini që nuk e kalon dot me sllogane dhe kjo është një shembull pozitiv për të gjithë” – deklaroi Idrizi.Idrizi i shpalosi Ahmetit punën e PDIU-së për çështjen çame dhe për kohezionin kombëtar mes shqiptarëve kudo ndodhen.Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, u pajtua me mendimin se rinia arriti të përmbyste tabutë dhe bastionet, duke vendosur theksin te roli i qindra vullnetarëve dhe aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, që me sinqeritet arritën të përmbysnin një rezultat, që kundërshtarët nuk e prisnin.Ahmeti vendosi theksin te motivimi i rinisë, duke deklaruar se pritshmëritë tani janë shumë të mëdha. Ai shpalosi vizionin mbi Prishtinën, për ndryshimin rrënjësor të kësaj komune, duke u përqëndruar në 12 premtimet e fushatës zgjedhore, të cilat i sollën edhe fitoren.Më tej, ai foli mbi zhvillimet e fundit kombëtare në Kosovë, duke shprehur shqetësimin mbi Asosacionin e Komunave Serbe, që pritet të krijohet, si edhe mbi rivendosjen e ulëseve të rezervuara në parlament për zgjedhjet e ardhshme nacionale.Në fund, palët u rakorduan për të zhvilluar aktivitete të përbashkëta mbi çështjen çame dhe në tërësi çështjen kombëtare në bashkëorganizim me Komunën e Prishtinës.