Rekomandimet për gjendjen e spitaleve, raporti i AP: Të ngrihet një strukturë për emergjencat
Institucioni i Avokatit të Popullit ka monitoruar gjendjen e spitaleve në vend dhe rekomandimet ia ka përcjellë zyrtarisht Ministrisë së Shëndetësisë. Rekomandimet nisin me aksidentin e Himarës më 21 maj 2012, ku institucioni i Avokatit të Popullit duke parë mënyrën sesi janë transportuar të dëmtuarat rekomandon që të ngrihet një strukturë vetëm për urgjenca, të ketë mjekë, infermierë, zjarrëfikës dhe mjete për përballimin e situatave të tilla emergjente. Helikopterët sanitarë të jenë pajisur më të gjitha mjetet sepse u pa se gjatë transportimit të të lënduarave mungonin barrelat. Ndërkohë që duhet ngritur një heliodrom në spitalin ushtarak për uljen dhe ngritjen e helikopterëve. Më tej raporti vijon me gjendjen e QSUT, ku në shërbimin e kardiologjisë nuk kishte elektroda, ambjentet ishin të amortizuara dhe ishte vetëm një EKG që punonte. Mungonin mjaft medikamente bazë dhe nuk kishte as alkool e as shiringa. Avokati tha se ky draft raport është fotografia reale e shërbimit spitalor në vend. Në pediatrinë e QSUT mungojnë medikamentet. Ndërsa në shërbimin e onkologjisë ka amortizim të inftrastrukturës, mungon sitemi i ngrohjes duke krijuar një gjendje më të vështirë të pacientëve. Edhe në këtë shërbim mungon furnizimi normal me medikamente bazë si citostatikët. Mungojnë medikamentet mjekësore që nga shiringa, alkooli e pambuku dhe deri te ato ilaçe, të cilat janë të domosdoshme për trajtimin e të sëmurëve. Është kërkuar shtimi me aparatet e oksigjenit. Aktualisht janë vetëm 19 aparatura për 36 shtretër. Situatë jo e mirë paraqitet dhe në shërbimet e tjera të QSUT, por dhe në spitalet e vendit.