Panariti vizitë në një thertore në Shkodër: Zbatim të standardeve në tregtimin e mishit

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, zhvilloi një vizitë në një thertore moderne në Shkodër të sapo inaguruar, e cila siguron brenda së njëjtës strukturë rritjen e grumbullimin e gjësë së gjallë, therjen dhe përpunimin e mishit, që më pas dërgohet për tregtim për të përfunduar në tryezat e konsumatorëve.Vizita e Ministrit Panariti në Shkodër u krye në kuadrin e punës që ‘task forca’ kombëtare ka ndërmarrë për të zbatuar ligjin dhe standardet higjeno sanitare në tregtimin e mishit. Duke vizituar këtë thertore të re, Panariti, tha se mbetet i inkurajuar që këtë model ta shtrijë në gjithë tregjet e vendit.“Prej kohësh Ministria e Bujqësisë, në bashkëpunim me AKU ka nisur një aksion për të përmirësuar rrënjësisht mënyrën si mishi përpunohet dhe tregtohet në tregjet e Shqipërisë. Si pjesë e këtij aksioni, ne kemi rezultatet e para shumë inkurajuese, ku tashmë mund të themi se në qendrat e mëdha urbane kemi një disiplinim të procesit të përpunimit dhe tregtimit të mishit. Dhe sot unë jam këtu, në një prej bizneseve më model, se si trajtohet, përpunohet dhe tregtohet mishi. Ky biznes i vellezërve Kimca në Shkodër është modeli i një ndërmarrje të integruar që procesin e sigurisë së ushqimit e fillon që nga ferma dhe e përfundon në tavolinë. Këtu ndodhemi në një thertore të standardeve europiane, më të përparuara, që zbaton standartet ISO dhe sistemin HACCP (Hazard analysis critical control point) dhe teknologjinë më të fundit për përpunimin e mishit, dhe natyrisht kjo bën që garancia për ruajtjen e paramentrave të cilësisë dhe sigurisë së këtij mishi të jetë shumë e lartë, dhe konsumatori të marrë siguri absolute që ky mish është plotësisht i sigurt për t’u konsumuar qoftë si mish i freskët, qoftë i përpunuar në trajtën e produkteve të sallamerisë. Prandaj jam këtu për të promovuar këtë model, dhe për ta bërë këtë model mbarëkombëtar. Jam i sigurt se shumë biznese të tjera kanë të njëjtat standarde, por ky biznesi i vellezërve Kimca këtu në Shkodër ka krijuar një traditë të konsoliduar, të suksesit dhe jam i impresionuar dhe i inkurauar që këtë model ta bëjmë të përhapur në qendrat urbane, në fabrikat e përpunimit dhe në gjithë tregjet e Shqipërisë”tha Panariti.Ministri Panariti garantoi mbështetje për gjithë bizneset e tilla model në gjithë vendin.