Tahiri me Ministrin hollandez: Luftë pa kompromis ndaj korrupsionit
Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri është takuar sot me Fred Teeven, Ministër i Shtetit për Sigurinë dhe Drejtësinë si dhe Ministër për Migracionin i Mbretërisë së Holandës.Takimi i zhvilluar në mjediset e Ministrisë së Sigurisë dhe Drejtësisë është fokusuar në hapat që po ndërmerr Ministria e Punëve të Brendshme dhe Qeveria Shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si element kyç në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.Ministri Tahiri ka theksuar se lufta pa kompromis ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit është vendosur në krye të listës së prioriteteve të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Qeverisë Shqiptare.Sipas tij rezultatet e muajve të parë të qeverisjes, janë impresionuese duke shënuar arritje domethënëse në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafikut të qënieve njerëzore.“Rezultatet e Policisë së Shtetit janë treguesi më i mirë i seriozitetit dhe përkushtimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Qeverisë Shqiptare për të rivendosur shtetin ligjor dhe drejtësinë në vend” është shprehur Tahiri.Ministri Tahiri është ndalur në veçanti në masat që po merren në vijimësi për të rritur sigurinë kufitare si dhe për të penguar fluksin e azilkërkuesve drejt vendeve të BE-së. Si rrjedhim i këtyre masave, veçanërisht gjatë muajit të fundit është bërë e mundur të ketë ulje të numrit të azilkërkuesve shqiptarë, fakt ky i konfirmuar zyrtarisht nga disa vende të BE.