Topi kërkon raport për 21 janarin: Kom. hetimor të na tregojë emrat e puçistëve
Kreu i FRD, Bamir Topi, i është rikthyer edhe një herë akuzave që vërshuan ndaj tij nga mazhoranca e djathtë kur ai mbante detyrën e Presidentit, duke i kërkuar Parlamentit të ri të nxjerrë një raport të plotë të ngjarjes së 21 janarit, transparencë që Kuvendi i vjetër, sipas tij, nuk ia doli ta bënte. Është koha që shqiptarët të mësojnë kush e organizoi grushtin e shtetit, tha Topi.“Çështja e 21 janarit nuk është thjesht juridike, për tu futur në labirinthet, është në këndvështrim të fortë, çështje politike dhe morali politik. Sepse në Parlamentin shqiptar, me urdhër të mazhorancës së atëhershme u ngrit një komision hetimor parlamentar që përfundoi hetimin pa asnjë raport. Sot nga Parlamenti i ri, presim një prononcim. Kanë kaluar 3 vjet. Cili është fati i atij komisioni hetimor? Nga kush u krye grushti i shtetit, nga ish-Presidenti, nga ish-Prokurorja e Përgjithshme,nga ish-Kreu i SHISH-it, nga gazetarë, nuk marrë përsipër të flas për politikën, është thjesht çështje e politikës"u shpreh ai.Në mbledhjen e kryesisë së FRD, Bamir Topi, nuk la pa trajtuar gjendje e së djathtës pas 23 qershorit, duke qendruar në të njëjtin pozicion, se përgjegjësia për tkurrjen e së djathtës bie mbi keqqeverisjen e PD.“Kali gërmuq i Trojës vazhdon ende të shkatërrojë filozofinë e së djathtës në Shqipëri, i takon FRD të ndërmarrë një mision qytetar jo karrierist, apo pragmatist, sepse brenda këtyre interesave janë interesa jetike të demokracisë shqiptare, sot ne kemi të majtën në pushtet, ne jemi parti e moderuar, dhe kemi respektuar pikërisht formalisht që duhet respektuar 100 ditëshi i parë i qeverisë për të dhënë konsiderata dhe për të mos e kthyer atë në konsumimin e termave bajate, dhe 100 ditëshi konsumohet brenda muajit” deklaroi Topi.Gjatë mbledhjes së kryesisë, nuk u prek asnjë mundësi bashkëpunimi me koalicionin e majtë edhe pse së fundi është folur për angazhimin e FRD në poste zëvendësministrash.