KLD “lejon” arrestimin e Shtjefën Lleshit, vota unanime për masën e sigurisë
Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vendosur me votë unanimeve lejimin e caktimit të masës së sigurisë për ish-kryetarin e Gjykatës së Pukës, Shtjefën Lleshi. Vendimi është marrë në një mbledhje urgjente të KLD-së të zhvilluar me dyer të mbyllura.Pas këtij vendimi Prokuroria do të nisë hetimet ndaj gjyqtarit që akuzohet se bashkë me punonjëset e Gjykatës dhe prokurorin, kanë liruar nga burgu së paku dy persona kundrejt ryshfetit.Krahas arrestimit të gjashtë personave, përfshi kryeprokurorin e Pukës, dy avokatë, të dyshuarin si sekser dhe dy punonjëse të Gjykatës së Pukës, Prokuroria dhe Gjykata e Tiranës kishin kërkuar leje në KLD për hetimin e gjyqtarit, Shtjefën Lleshi.Një ditë më parë vetë Shtjefën Lleshi, në një deklaratë për median hodhi poshtë dyshimet e ngritura ndaj tij, ndërsa theksoi se do të vazhdojë detyrën duke iu bindur vetëm vendimeve të KLD-së.