“Refuzimi” për statusin, 3 Ministrat mbyllin me sukses vizitën në Hollandë

Mbyllet me sukses vizita e tre Ministrave të kabinetit Rama në Hollandë, pak ditë përpara vendimit për statusin e vendit kandidat. Takimet e planifikuara përfunduan me një seancë dëgjimore në Komisionin për çështje Evropiane, ku Ministrja Gjosha ishte së bashku me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati.Ministrja Gjosha theksoi se statusi është vetëm një hap përpara në procesin e integrimit, që do të ketë ndikimin e tij tek reformat, të cilat janë më të rëndësishmet për qeverinë, pasi janë ato që do të transformojnë shoqërinë shqiptare, gjithë sistemin dhe do të ndikojnë në standardin e jetesës.Ministrja Gjosha u ndal në reformat e qeverisë në dialogun konstruktiv dhe mbështetjen e opozitës për çështjet e integrimit. Po kështu ministrja theksoi angazhimin e gjithë faktorit politik për këtë proces që u dëshmua qartë edhe në miratimin në unanimitet të plotë në parlament të rezolutës së së iniciuar pikërisht nga opozita.“Në këtë drejtim, si Ministre e Integrimit, do të bëj gjithçka të mundur për të punuar bashkë me opozitën, nëpërmjet strukturave parlamentare, në mënyrë që të avancojmë më tej me reformat, duke shtrirë bashkëpunimin në të gjitha nivelet”, tha Gjosha.Deputetët hollandezë përgëzuan qeverinë shqiptare për zgjedhjet e fundit parlamentare.“Vlerësojmë vullnetin që keni për të bashkëpunuar me opozitën. Po kështu vlerësojmë bashkëpunimin rajonal të Shqipërisë”, u shprehën deputetët hollandezë. Ata inkurajuan qeverinë shqiptare në ccuarjen përpara të reformave të nisur dhe u interesuan në lidhje me masat që po merren për të drejtat e njeriut.Duke iu përgjigjur interesit të deputetëve hollandezë,Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, theksoi se Shqipëria nuk ka një plan të dytë reformash në rast se nuk merret vendimi për statusin e vendit kandidat.“Ne reformat po i ndërmarrim për zhvillimin e vendit tonë dhe jo për vendet anëtare. Shqipëria nuk ka një plan B, në rast se nuk merret statusi. Ka vetëm një plan të qartë reformash që do ta zbatojmë në përmbushje të të gjitha rregullave, si kontribut për zhvillimin e vendit”, tha Bushati.