Dorëhiqet Zonja Nishani: Atmosfera e krijuar në institucion, fyese dhe e papranueshme

Zonja e Parë Odeta Nishani konfirmon në faqen e saj zyrtare ne fb dorëheqjen nga posti i drejtoreshës së Tregut dhe Statistikave të Turizmit në Ministrinë e Turizmit. Vendimin për dorëheqje, zonja Nishani shprehet se e ka marrë duke e gjykuar fyese dhe të papranueshme atmosferën e krijuar në institucionin ku punon.“Natyra e administratës publike karakterizohet nga hierarkia, e cila sipas rangut menaxhon të menduarit dhe të vepruarit në shërbim të taksapaguesve dhe të vetë shtetit, por gjithshka duhet të funksionojë në një kuader etik.Arroganca dhe tensionimi artificial bazohen në kërkesa, të cilat dëshmojnë mungesë vizionesh, mosnjohje të realitetit dhe të punës së bërë deri tani. Presioni psikologjik, trysnia e vazhdueshme, pretendime absurde, shkrirja e strukturave ekzistuese dhe krijimi i strukturave të reja, të mbivendosura me institucionet e varësisë po përdoren në menyrë që njerëzit të vetëlargohen nga puna, e shoqëruar kjo edhe me prishje kontratash, duke përfituar nga statusi i ri i Ministrisë pas ndarjes së MTKRS-së (Ministrisë Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve).Duke e gjykuar fyese dhe të papranueshme këtë atmosferë, me keqardhje largohem nëpërmjet dorëheqjes së parevokueshme nga Ministria” deklaron Nishani.Sipas saj, etika është baza e komunikimit në administratë, në shoqëri, në shkollë e kudo në sferat e jetës dhe kur ky parim cënohet, komunikimi gjymtohet ose bëhet i pamundur.Zonja Nishani nuk ka harruar të falenderojë bashkëpunëtorët e saj përgjatë këtyre viteve për profesionalizmin, përkushtimin, ndershmërinë dhe rezultatet e arritura, të cilat sfidojnë çdo nihilist dhe nihilizëm qëllimor.