Finalja zgjedhore

Finalizimi i suksesshëm i zgjedhjeve vendore të 3 nëntorit më 1 dhjetor përbën një mundësi dhe rast tepër domethënës për të manifestuar botërisht pjekurinë politiko-shtetërore të Republikës së Kosovës dhe për t’u dëshmuar BE-së, SHBA-së dhe anëtarëve të OKB-së që shteti ynë i ri është i aftë për të qenë faktor dhe aktor në marrëdhëniet me ta. Ky fillim shkrimi, që mbart më shumë karakteristikat e një përfundimi të një procesi dhe që do t’i takonte dhe do të ishte më i saktë po të shkruhej pas shpalljes së rezultateve të 1 dhjetorit, kushtëzohet kryesisht:Së pari, nga statusi shtetëror i njohur botërisht i Republikës së Kosovës. Aktualisht, Kosova vlerësohet dhe trajtohet ndërkombëtarisht si faktor dhe aktor i ndjeshëm për stabilitetin në Ballkan dhe veçmas në pjesën perëndimore të gadishullit. Kosova njihet zyrtarisht nga rreth gjysma e anëtarëve të OKB-së, është ftuar dhe pritet të nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me BE-në. Aktualisht, Kosova pritet të dëshmojë botërisht angazhimin e saj serioz për realizimin e marrëveshjes së 19 prillit të nënshkruar në Bruksel, për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që kushtëzon dhe u hap rrugë gjithë zhvillimeve të tashme dhe të pritshme në të dy vendet, madje dhe më gjerë.Së dyti, nga zhvillimi i derisotëm  i zgjedhjeve në Kosovën e pavarur. Zgjedhjet e mëparshme vendore, pas pavarësimit të shtetit, kanë lënë një mbresë jo të mirë brenda dhe jashtë vendit nga kontestimi i tyre prej forcave politike dhe nga kohëzgjatja dyshuese e konfirmimit të rezultateve të tyre. Zgjedhjet e katër vjetëve më parë u kundërshtuan dhe nuk u njohën si të tilla nga një pjesë e qytetarëve kosovarë të etnisë serbe, të cilët përmes mohimit të tyre, mbajtën në këmbë strukturat paralele të financuara nga Beogradi.Së treti, nga pjesëmarrja për herë të parë në zgjedhjet vendore, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të bashkësive komunale me shumicë etnike serbe në veriun e Kosovës. Përsëritja e zgjedhjeve në tri qendra votimi në Mitrovicën e veriut dhe rivotimi më 1 dhjetor për balotazh, tashmë nuk dëshmojnë, por provojnë rregullsinë, karakterin demokratik dhe miratimin gjithëqytetar e politik kosovar. Procesi dhe rezultati i pranuar përgjithësisht nga qytetarët e Kosovës së etnisë serbe do t’u japë fund institucioneve paralele, metastazave agresive nacionaliste serbe në Kosovë.Së katërti, nga zhvillimi i zgjedhjeve vendore në Kosovë në vitin 2013, që përkon me cilësimin nga BE-ja si vit “historik”, si për Kosovën edhe për Serbinë “për progresin e dukshëm dhe të qëndrueshëm në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre…”Së pesti, nga afërsia në kohë (rreth dyjavore) e zhvillimit të zgjedhjeve vendore në Kosovë nga deklarimi i projekt-raportit të Komisionit Europian, më 16 tetor, që rekomandoi fillimin e negociatave të BE-së me shtetin e Kosovës për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim–Asocimit.Qasja në kohë e mendimeve dhe e vendimeve të Brukselit për nënshkrimin e MSA-së në varësi të karakterit demokratik të zhvillimit të zgjedhjeve vendore në Kosovë, mendoj se ndërlidhet dhe është tepër e rëndësishme për të sotmen dhe të ardhmen tonë. Kam këtë mendim sepse:Vlerësimi i Progres-Raportit të KE-së na bëri thirrje, na inkurajoi që zgjedhjet e 3 nëntorit të zhvilloheshin në mënyrë demokratike, transparente, të ndershme dhe pa ngarkesa “të rënda” politike dhe etnike. Procesi i 3 nëntorit shënoi një arritje të përbashkët të mbarë faktorit politik shqiptar, që e tejkaloi ndasinë dhe interesin partiak për konsolidimin dhe të ardhmen europiane të Kosovës. Rezultatet e dala nga 3 nëntori u njohën në përgjithësi, njëherësh, nga gjithë forcat politike shqiptare, pjesëmarrëse në zgjedhjet vendore. Zhvillimi i tyre u vlerësua nga gjithë vëzhguesit edhe nga ata ndërkombëtare si normale, brenda parametrave demokratikë. Parregullsitë e vërejtura në disa qendra votimi në Mitrovicën e Veriut, që u njohën botërisht si të kushtëzuara nga “ngarkesat” etnike serbe, u tejkaluan me përsëritjen e zgjedhjeve.1 dhjetori është në prag. Është përballja finale e forcave politike të qytetarëve shqiptarë dhe joshqiptarë të Republikës së Kosovës. 3 nëntori në mbarë territorin shtetëror dhe 17 nëntori në veriun e  Mitrovicës, shënuan arritje në pjekurinë shtetërore të Kosovës; në logjikën politike të partive të shqiptarëve; në gjykimin e interesave nacionale të etnive joshqiptare; në vlerësimin e institucioneve dhe opinionit demokratik ndërkombëtar për prirjet, aftësitë dhe mundësitë e 2 milionë shqiptarëve të Kosovës për të ndërtuar së shpejti një shtet demokratik.1 dhjetori është finalja e këtij testi të madh kosovar e ndërkombëtar . Si për çdo finale, rezultati është i pasigurt, sepse rezultatet mund dhe të përmbysen. Ndodh në sport, ndodh edhe në zgjedhjet politike. Vlerë qytetare është pranimi qetësisht i rezultatit dhe kur ai del ndryshe nga parashikimi.Ta mirëpresim, ta menaxhojmë seriozisht dhe ta pranojmë rezultatin që do të shpallet nga institucionet zyrtare. Rezultati i pritshëm, mund të jetë në favor apo disfavor të asaj apo kësaj partie, por një gjë është e sigurt: rezultati i 1 dhjetorit i arritur qetësisht, në mënyrë demokratike dhe i pranuar si i tillë nga të gjitha partitë politike shqiptare dhe joshqiptare, por edhe nga mbështetësit dhe miqtë tanë ndërkombëtarë, mendoj se është, në mos një provë finale, një dëshmi me peshë për të sotmen dhe të ardhmen shtetërore të Kosovës në rajon, Europë dhe botë.1 dhjetori i jep besueshmëri dhe vulos rezultatin zgjedhor të 3 nëntorit, për vlerën demokratike të tyre dhe veçanërisht për konfirmimin ndërkombëtar të sovranitetit të shtetit të Kosovës brenda kufijve të saj politikë. Shqip