Për të ashtuquajturën krizë të Teatrit

Thuhet se Teatri është në krizë. Mirëpo Teatri , si art, konsiderohet i shëndetshëm vetëm kur është në krizë. Mendimtarët e tij thonë se kriza është e domosdoshme për ta kërkuar e rinovuar çdo ditë vetveten, për të mbetur art. Të thuash, pra, që Teatri është në krizë, si art, është t’i bësh një kompliment. Ndoshta është më e udhës të themi se kriza jonë e keqe, e sotme, në lidhje me Teatrin, mund të jetë krizë mungese sistemi apo sistemesh të shartuara keq, krizë menaxhimi, krizë ecjeje kuturu, pa plan, pa vizion, krizë buxheti -  madje dhe rritja e këtij të fundit për ndonjë teatër nuk do e zgjidhte problemin pa u zgjidhur çështjet e sipërpërmendura.* * *Në këto kuptime, po, Teatri është në krizë. Por, me të thënë këtë, rendim ta identifikojmë padrejtësisht Teatrin shqiptar me institucionin e Teatrit Kombëtar. Identifikim ky që arrin deri në atë pikë sa, kur flasim për reformim, gjithë vëmendja përqendrohet në ndryshimet apo shkurtimet në Teatrin Kombëtar!Çfarë nënkuptojmë me reformim të Teatrit tonë? Reformimin e një institucioni? Reformimin e territoreve në të cilat zhvillohet Teatri (sallat, skenat ambientet etj.)? Cilësinë e shfaqjeve që jepen? Apo sistemin e përgjithshëm të funksionimit të Teatrit në Shqipëri dhe ligjet e tij? Apo të gjitha këto së bashku (dhe atëherë duhen studiuar komponentët një nga një dhe nga kompetenca të ndryshme)? Sepse këto të gjitha janë të ndërvarura nga njëra-tjetra dhe nuk mund të pretendojmë se po reformojmë njërën pa studiuar ndërsjellësinë midis tyre dhe pa shkuar te hallka kryesore.A nuk varet, për shembull, mënyra sesi do të reformohet TK në veçanti nga vizioni apo plani i përgjithshëm që do të zbatohet për Teatrin në Shqipëri? Nga rëndësia që do t’i kushtohet këtij të fundit në mozaikun e kulturës? Nga sistemi që do të adoptohet?Në kushtet e krizës financiare, më duket se vendimet për TK kushtëzohen nga mundësitë apo pamundësitë që krijon sistemi në të cilin do integrohet ky Teatër. Nëse sistemi do të mund të krijonte hapësirat e mjaftueshme për lulëzimin e një teatri kompanish (me – apo pa -  rezidencë), e një teatri privat, shoqatash etj. çështja e TK mund të shihej me një optikë tjetër. Por nëse sistemi nuk mundet realisht (përkohësisht, shpresoj) t’i krijojë këto hapësira, reformimi i Teatrit Kombëtar kushtëzohet tërësisht nga kjo pamundësi, sepse atij i bie barra që të bëhet një arenë konkurrimi, vitrina dhe magazina përzgjedhëse, kultivuese, zhvilluese dhe menaxhuese e prurjeve më të mira të mundshme të Teatrit në Shqipëri dhe jo thjesht të prodhojë shfaqje me trupën e vet. Në kushtet e një sistemi shumëfish funksionues, Teatri Kombëtar mund të mbajë trupën e vet permanente, të kuruar; të punësojë me sezone regjisorë që do të ishin ideatorët e një repertori të studiuar për kushtet e kësaj trupe, ku të punonin të gjithë aktorët, ku të rinjtë të zgjidheshin sipas nevojave të trupës. Do ishte shumë e thjeshtë për çdo menaxher të drejtonte një teatër të tillë. Por në kushtet e Teatrit shqiptar, në të cilin i gjithë komuniteti ka vetëm dy teatro kombëtarë, e pra, që ata të jenë realisht kombëtarë, të të gjithëve, duhet që jo vetëm i gjithë kombi të përfitojnë prej prurjeve të tyre, por të përfaqësohen tek ai të gjitha prurjet kombëtare që vlejnë vërtet të përfaqësohen (deri sa ato s’kanë ku të përfaqësohen tjetër!). Dhe këto teatro duhet të luajnë njëkohësisht rolin e një qendre formimi të vazhdueshëm, rol që dikur, në teatrot me trupë, e siguronte puna me regjisorët pedagogë dhe vizionarë të trupës, të cilët bënin gjithë ç’duhej për ta zhvilluar atë në tërësi, udhëhiqnin evoluimin individual të çdo aktori, vigjilonin mbi cilësinë artistike të ndihmuar nga këshilli dhe analizat artistike, nga konsideratat e kritikës, nga dublimet e roleve, nga sistemi i emulacionit etj., etj.* * *Komuniteti i artit të Teatrit sot në vendin tonë përfshin një numër shumë më të madh njerëzish e grupesh interesi se aktorët e trupës së Teatrit Kombëtar. Nuk është publiku ai që proteston sot për nivelin e shfaqjeve në këtë teatër. Kur nuk i pëlqen një shfaqje, publiku shumë-shumë nuk vjen më në teatër dhe kaq. (Dhe ç’pasoja të dhembshme ka kjo “kaq”!) Ata që protestojnë janë: ndonjë zë në shkretëtirë e në zhdukje i kritikës dhe një numër i madh zërash individësh ose grupesh interesi të komunitetit artistik. Janë të gjithë ata që nuk jetojnë dot pa teatër, si shpirtërisht aq edhe materialisht, dhe që mendojnë se vetë mund të bëjnë teatër më të mirë. (A është apo jo e vërtetë kjo, nuk e dëshmon dot pa pasur mundësinë të japësh prova; por është legjitime ta ëndërrosh veten në fushën e provës!) Janë zëra nga ata që nuk arrijnë të bëjnë teatër ose e bëjnë, në vetë TK, në TKK, ose në Teatrin e Metropolit, por në kushte të konsideruara si diskriminuese në krahasim me ato të aktorëve të brendshëm të TK. Ata tërbohen se duan të punojnë, të zhvillohen dhe s’kanë terren, kur punojnë ndihen të diskriminuar financiarisht, nuk kanë liri, nuk kanë vlerësim, nuk kanë shanse për përfaqësim. Pikërisht ata i qesin dhe do ti qesin (fatmirësisht!) probleme Teatrit zyrtar. E mira do të ishte që ky tërbim, ky vlim, ky ëndërrim, të mos derdhej në inate personale që e gjejnë shkakun jo më larg se hunda jonë, por në punë konkurruese. Po ku gjehet mundësia për të punuar?* * *Unë si artikullshkruese, për shembull, si pjesëtare e këtij komuniteti – jashtë TK dhe çdo lloj institucioni, jashtë sistemit pra, siç do të thuhej, (nëse do ishte sistem), – madje edhe gjysmë jashtë shtetit – shtroj prej kohësh pyetjen se ç’mundësi apo liri më krijon vendi im që të mund t’i investoj këtu frytet e dijeve dhe të përvojës sime. Atë e kam akumuluar në dy regjime; në dy shtete kryesore (Shqipëri/Francë, por edhe gjetkë); në dy lloje sistemi shkollash (private dhe shtetërore), në dy lloje funksionimi teatrosh (publik edhe privat); në dy lloj formimesh (universitar/teorik, dhe mjeshtëror/konkret); formim dhe përvojë që më japin mundësinë të jem efektive në disa fusha: atë të regjisurës, të pedagogjisë, të përkthimit, të aktrimit, të çuarjes përpara të mendimit teatror, të dramaturgjisë, kritikës etj. Jam e ndërgjegjshme që vendi im ka nevojë për atë çka mund t’i ofroj, por nuk e gjej dot vendin në këtë formë organizimi. Shpresoj, prej disa vitesh, se një reformë  serioze do krijojë mundësitë që në sistemin e ardhshëm, në ligjet e reja, në organizimin e duhur, njerëz si puna ime – se kam edhe simotra dhe sivëllezër që presin të qartësohen – të mund ta imagjinojnë perspektivën e kontribuimit apo të ndërtimit të karrierës në atdhe. Dhe nuk është fjala për të gjetur një punë, se për këtë nuk është nevoja të vijmë në Shqipëri. Por për të mundur të bëjmë atë çka mund të jetë e dobishme. Në rastin tim, nuk e shoh dobinë në poste administrative e drejtuese, se nuk është kjo që di të bëj më mirë dhe që dëshiroj, por në punë artistike dhe formuese. Sepse në Teatër sigurisht që duhen përzgjedhur me kujdes administratorët, por më e rëndësishmja është të përzgjidhen njerëzit që e bëjnë atë, apo drejtojnë formimin e atyre që do ta bëjnë në të ardhmen, formim që vetëm fillon në shkollë, por duhet të vazhdojë gjithë jetën.Më duhet, pra, të di se cili është sistemi që do zbatojë Shqipëria për Teatrin dhe ç’shanse u ofron ai njerëzve si unë.Studentit që del nga shkolla i duhet të dijë nëse ia vlen apo jo të sakrifikojë disa vite që të mund t’i bëjë vend vetes në profesion, ç’strategji mund të zgjedhë, pranë cilit grupim, sa kohë të sakrifikuar duhet të llogarisë për të provuar veten para se të bëjë zgjedhje tjetër…Artistëve të rinj të konfirmuar u duhet të bëjnë llogaritë nëse munden ta mbajnë familjen me mundësitë tërësisht të paparashikuara që u janë dhënë deri tani, pa sigurimet shoqërore të nevojshëm dhe pensionin e ardhshëm, apo të bëjnë zgjedhje të  tjera…Prindërve që do dërgojnë fëmijët e pasionuar në Universitetin e Arteve u duhet të dinë sesi mund të kurorëzohet përpjekja e tyre pesëvjeçare, cilat janë shanset e punësimit…Aktorëve të Teatrit Kombëtar, që gëzojnë një status të privilegjuar të cilin nuk e ka më askush tjetër në hapësirën e kryeqytetit (të paktën), u duhet ta dinë nëse do të vazhdojnë ta kenë atë, apo duhet ta hamendësojnë perspektivën ndryshe…Individët që ideojnë kompani apo iniciativa private do donin të dinin cilat janë shanset që në një të ardhme të fitonin mbështetje nga shteti, një rezidencë, një vend ku mund të shfaqin punën e tyre, sa do t’i mbështesë ligji, sistemi… Etj., etj.Dhe për të gjitha këto nuk kemi tjetër ku t’i kemi sytë përveçse te Shteti. Sepse ai dhe vetëm ai mund ta zgjidhë, ose të mos e zgjidhë dot, të ashtuquajturën krizë të Teatrit. Problemet e menaxhimit të sistemit të Teatrit janë të mprehta edhe në shtete ku sistemi është funksional prej kohësh. Por çdo njeri që hyn në profesion (edhe një i ardhur nga Shqipëria), e ka të qartë, në botë, se çfarë e pret kur i hyn rrugës së Teatrit. Ka ardhur koha që edhe në Shqipëri perspektiva e profesionit të jetë transparente. Kaq gjë shteti ia ka borxh komunitetit. Si fillim, do kemi më pak njerëz të pakënaqur që humbin kohën dhe jetën kot, më shumë njerëz që do e kenë mbledhur mendjen dhe s’do rreken më të bëjnë teatër, do ketë edhe njerëz që do bëjnë teatër me çdo kusht (dhe nuk është e thënë se do jenë këta më të mirët). Gjithsesi, Teatri nuk do shuhet, është e kotë t’i trembemi kësaj. Ai thjesht do t’i lihet rastësisë, do kemi ndonjë shfaqje të mirë tek-tuk, dhe shumë shfaqje të padenja. Idealja do të ishte, nëse bëjmë reformim, të mos humbnim vlerat ekzistuese. Të mund të korrnim frytet e atyre që dinë, që janë mjeshtër në këtë zanat, duke i stimuluar, frymëzuar e motivuar, dhe të mund t’u jepnim dije dhe mjeshtëri nëpërmjet punës atyre që janë të frymëzuar e të motivuar, por nuk dinë ende sa duhet.* * *Teatri, si art, është një potencial, një disponibilitet, një energji sot më e pranishme se kurrë në Shqipëri. Ashtu si elektriciteti, që pret vetëm ta lidhësh me qarkun, me sistemin, për t’u vënë në punë. Dhe, mënyra sesi e lidh me këtë qark, sesi ia ndërton sistemin, bën që ai ose digjet ose jep dritë.  Një drejtor i ri institucioni do të jetë poçi i radhës që do bëjë një çikë më shumë apo një çikë më pak dritë. Ose do digjet përmes presioneve që sa vijnë e shtohen. Sepse vetëm mund “ta shtysh” dhe jo ta menaxhosh vërtet siç duhet energjinë potenciale ekzistuese të Teatrit sot – që përfshin tashmë jo vetëm individët e një trupe ekzistuese, por gjithë një komunitetin ekzistues që sa vjen e shtohet – nëse ligjet për Teatrin nuk janë rishqyrtuar, nëse misioni i secilit institucion nuk është i qartë dhe nëse sistemi në të cilin do integrohen institucionet nuk do jetë vizionuar dhe planifikuar me kujdes. Këtë terren mund ta përgatisë vetëm shteti, duke ngritur grupe pune me kompetentë të komponentëve të ndryshëm, të cilët e studiojnë problemin nga të gjitha pikëshikimet. Ata studiojnë modelet e sistemet ekzistuese në botë dhe marrin vendimet më të mira të mundshme në kushtet e realitetit tonë, gjithë duke pasur parasysh perspektivën. Nisemi kështu, për të vajtur ku? Për të arritur çfarë, në një të ardhme të afërt e më pas të largët? Duhet patjetër një strategji, objektiva, kritere pune në bazë të të cilave gjykohet më pas edhe ecuria, edhe përgjegjësia e hallkave të caktuara në realizimin apo jo të objektivave. Komuniteti, pasi ta studiojë dhe ta jetojë këtë sistem, ka gjithë jetën për të ngritur zërin për problemet që duhen përmirësuar. Siç ndodh kudo në botë.Të gjitha këto i dimë të gjithë. Dhe shteti i di shumë mirë. Prandaj ka sa e sa vite që mbulohet koka në rërë, si struci, për punët e Teatrit. Qeveria e re po tenton ta zbulojë këtë kokë, por ne si komunitet, kur na kërkohet mendim, nuk duhet të merremi me bishtin e peshkut në vend të kokës. Ata që po përpiqen ta zbulojnë kokën e strucit, mund të dekurajohen dhe ta lënë prapë ashtu siç ishte, ta konsiderojnë problemin të pazgjidhshëm. Dhe komuniteti të përqafojë sërish gurin e Sizifit për ngjitur të përpjetën. Deri ditën kur do të plotësohen kushtet që shteti të mund ta kapë demin nga brirët.* * *Shteti e di se një Teatër me kontrata, ku të zgjidhej aktori i duhur në pjesën e duhur, do të ishte ideale për cilësinë e spektakleve. Por si do të organizohet disponibiliteti i aktorëve të pa punë ? Është goxha mund t’u futesh këtyre ndryshimeve rrënjësore, është më thjesht të mbash një numër gjithnjë e më të vogël aktorësh me rrogë dhe të thuash: “ja teatri”, një teatër për inventar. Është e qartë që duhen shtuar vende pune e duhen përdorur në mënyrë qarkulluese; nëse nuk i shtojmë dot, duhet t’i mbrojmë me çdo kusht ata që janë, por duke i përdorur siç duhet. Do të ishte absurde t’i shkurtohen vende Artit Teatral të Shqipërisë, me pretekstin se ka njerëz të punësuar me rrogë që s’punojnë! I bie që të dënohet kultura shqiptare për faj të një drejtori që nuk paska pushuar nga puna njerëz që nuk kanë pranuar rolet ose ngaqë ai nuk u ka gjetur punë! Shteti e di që në kushtet e eferveshencës dhe të presionit të komunitetit artistik, një trupë e mbajtur me kontrata pa afat është Muri i Berlinit mbi të cilin do godasin ata që janë jashtë, për të hyrë brenda, gjithë duke e përbuzur dhe përdhosur atë oborr të dashur: si dhelpra rrushtë. E di që një artist rrogëtar është i rrezikuar në çdo moment të kthehet në një artist që “e merr rrogën kot”, paçka se atij nuk i vjen puna në dorë në këto kushte organizimi, do apo s’do ai, është apo nuk është i aftë. E di që aktorët e brendshëm do jetojnë me rrezikun të jenë të damkosurit e radhës, edhe pse s’ua  mohon dot aftësitë, disave as madhështinë, as faktin që janë krenaria e komunitetit. Dhe këta yje të kombit do t’i trajtuakemi si ushtarë, do bëkemi teatër policor, dhe nuk do t’u lënkemi as dinjitetin të thonë “JO” për role e shfaqje që nuk i shohin të denja për ta; gjë për të cilën, kur të ndërrojnë jetë (larg qoftë!), do t’u heqim kapelën?!* * *Puna është se shteti nuk e ndërton dot me një shkop magjik, sot për nesër, sistemin apo strukturën që i mbron artistët. Duhet organizuar mënyra sesi do mbahen në dispozicion  aktorët që do t’i duhen – në profesion të lirë – jashtë kontratave, – si do paguhen sigurimet e tyre, pensionet e atyre që nuk do kenë punuar sa duhet. Bota ka struktura për këtë punë. I bëjmë dot? Të paktën t’ia nisim kësaj pune, që të mund t’i kemi një ditë.Ne dolëm nga një sistem dhe përqafuam një tjetër por, në rastin e Teatrit të paktën, nuk po kemi këllqe të konvertohemi. Francezët kanë një shprehje: “Nuk bëhet omëleta pa thyer vezë”. Problemi është se, vezët mund t’i thyejmë, por mund të vazhdojmë të mos kemi omëletë se na mungon zjarri, vaji, tigani…Si përfundim, artistët do vazhdojnë të ëndërrojnë, sido që të venë punët. Profesioni ua do të ëndërrojnë edhe për të tjerët. Ata i kanë quajtur “antenat e racës”, ata kapin të parët tendencat, progresin, risitë. Por edhe rrufetë… Aktorët ëndërrojnë të luajnë, regjisorët krijojnë vizionet e shfaqjeve të ardhshme… Veç kurajës, ju duhet uruar shëndet, se në kushtet e tanishme, po u sëmurën, nuk kanë asnjë të drejtë që i mbron e kur të plaken s’do kenë edhe ata një pension si gjithë bota. Sidomos regjisorët, me aq pak punë sa ju bie të bëjnë… Për ta nuk flet askush, sepse janë pak… Asnjë komunitet nuk lëviz dot për ta. Ata që duhet të jenë “baballarët” dhe “nënat” e profesionit!Me që ra fjala për nëna, komuniteti duhet ta ketë tashmë të qartë detyrën: të qajë, fort, në kor, të dëgjohet si në tragjeditë e të lashtëve kolegë grekë. Se duhet të qajë fëmija që nëna, edhe kur s’ka qumësht apo fuqi, të lëvizë gurët e të gjejë ç’t’i japë për të pirë… nuk kemi rrugë tjetër. Kështu bëhet në të gjithë botën. Por ama kur qajmë dhe na pyesin se ç’na dhemb, duhet treguar vendi i duhur, dhe jo t’i tregojmë nënës gishtin, kur na dhemb koka. Panorama