Frroku uron Pavarësinë: Të ndajmë përgjegjësitë për një Shqipëri më të mirë

Kreu i Partisë Kristian Demokrate, njëherësh deputet në Kuvendin e Shqipërisë ka përcjellë urimet për të gjithë shqiptarët në 101 vjetorin e pavarësisë. Mark Frroku shprehet se kjo është dita për të shprehur mirënjohjen gjithë atyre brezave që nuk reshtën së punuari me energjitë dhe mendjen e tyre për një Shqipëri dhe shqiptari më të mirë.“Të nderuar bashkatdhetarë të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe anekënd botës!Sot është 101 vjetori i shpalljes së Pavarësisë; dita kur paraardhësit tanë morën vendimin e madh për të ecur në rrugën e përbashkët të mëvetësisë, me sovranitet, integritet dhe me përgjegjësi; për ta bërë këtë vend të bekuar, një oaz paqeje dhe zhvillimi, dhe për ta rikthyer me dinjitet në familjen e madhe evropiane.Sot, një vit më shumë se një shekull, ata kanë sakrifikuar shumë, kanë vaditur djersë dhe gjak mbi atë që i gëzohemi ne të gjithë; janë investuar me gjithë shpirt për një shtet sovran, anëtar të NATO-s, një vend që ka thyer muret e hekurta dhe lëviz pa viza drejt Evropë dhe që ndodhemi më pranë se kurrë marrjes së statusit të vendit kandidat.Si çdo përvjetor, ky është momenti që t’iu jemi mirënjohës prindërve tanë; gjithë atyre brezave, individëve dhe forcave që nuk reshtën së punuari me energjitë dhe mendjen e tyre për një Shqipëri dhe shqiptari më të mire” thekson ai.Frroku thekson se Dita e Flamurit duhet të na shërbejë edhe si moment reflektimi për amanetet e lëna dhe përgjegjësitë që na presin përpara.“Por, njëherësh, sot është edhe një moment reflektimi për amanetet e lëna dhe për ëndrrat e fëmijëve tanë; për sfidat dhe përgjegjësitë që na presin përpara. Edhe pak ditë na ndajnë nga prekja e ëndrrës shekullore, pranimit si vend anëtar i denjë për në BE, dhe secili prej nesh nga një mision të shtuar teksa hyjmë në vitin e 102 të Pavarësisë së Shqipërisë.Në emrin tim personal, - por edhe të Partisë Kristian Demokrate, të të gjithë anëtarësisë së saj, - teksa ndodhem në Vlorë, në djepin ku erdhi në jetë Pavarësia, më lejoni të ndaj këto çaste gëzimi me të gjithë ju, të përcjell mesazhin e paqes; të përçoj te secili prej jush fjalën plotë shpresë se Shqipëria do të bëhet nesër 101 herë më e bukur dhe të ndajmë bashkërisht përgjegjësitë që presin prej nesh brezat” përfundon Frroku.